Teuta arriti përmbysjen e madhe në Conference League, duke mundur në Andorra ekipin e Inter D’ Eskaldes me rezultatin 3-0.
Protagonist i ndeshjes ishe Sebino Plaku autor i një dygolëshi, ndërkohë që penalltia u shënua në kohën shtesë nga Sherif Kallaku.
Një rezultat i madh për një ekip shqiptar, dhe që pas 90 minutave në Durrës, ku shqiptarët ishin mposhtur 2-0, dukej pothuajse i pamundur, por që ishte rezultati i natyrshëm i diferencës teknike në fushë.
Durrsakët shënuan golin parë në minutën e 25-të falë Sebino Plakut, por më pas nuk arrin të konkretizojë superioritetin deri pak minuta nga fundi.
Në minutën e 81 sërish Plaku, protagonist i ndeshjes, shënon me një gjuajtje spektakolare duke barazuar rezultatin e përgjithshëm. Sulmuesi dëshpërohet në sekondat e fundit, kur shpërdoron një rast vetëm me portierin, por rrjedha e ndeshjes ishte dukshëm në favor të shqiptarëve, ku nuk munguan edhe momente tensioni për vendimet e arbitrit.
Sherif Kallaku me një penallti në minutën 101 u dhuron kualifikimin durrsakëve, që më pas administruan një kualifikim që dukej i pamundur.
Në raundin tjetër, durrsakët i pret një rival sigurisht më i vështirë, por jo i pamundur, si irlandezët e Shamrok Rovers.