Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini ka thënë se Gjakova është një ndër komunat më të prekura nga tragjedia ku humbën jetën 10 persona, pasi autobusi i tyre doli nga rruga dhe u përmbys.
“Gjakova e ka pësuar keq. Është tepër e rëndë të mendojnë se si ndihen familjet e viktimave. Janë pesë viktima nga Gjakova.
Pos bashkë vozitësit që është konfirmuar më herët se ka ndërruar jetë në këtë tragjedi, kemi edhe katër viktima tjera.
Kemi një nënë dhe një vajzë nga fshati Devë, dhe një tjetër grua nga fshati Lipovec”, ka thënë Gjini për mediat në Kosovë.
I pari i Gjakovës thotë se sonte janë mbledhur të gjitha strukturat për të parë se si do të veprohet më tej. Ai thotë se janë të gatshëm të ndihmojnë të gjitha familjet e viktimave në këto momente të vështira.
Gjini thotë se ka pasur takime edhe me zyrtarët e qeverisë, të cilët thotë se kanë ardhur me emrat e viktimave dhe janë njoftuar familjarët.
“Tani kemi disa të panjohura pasi disa nga viktimat janë qytetare të Gjakovës por me prejardhje nga komunat tjera.
Do të shohim se si do të kryhen procedurat e varrimit për ata që tashmë kanë ndërruar jetë fatkeqësisht”, deklaroi ndër të tjera Ardian Gjini.
Ndërkohë raportohet se në aksident kanë mbetur viktima nënë e bij, Valentina Binakaj, dhe vajza e saj Erlinda Binakaj.
Mediat në Kosovë raportojnë po ashtu se viktima të aksidentit kanë mbetur:
Sevdail Rruatemi, 1973 Pakshticë e Epërme – Podujevë,
Naser Sylemetaj, 1974 Gjakovë,
Launora Kolmekshaj, 1982 Junik – Deçan,
Kujtim Kastrati, 1981 Radoste,
Hamet Hoxha, 1966 Randobravë – Gjakovë.