Analisti Frrok Çupi ka parashikuar lëvizjet që do të bëjë kryeministri Rama në shtator në lidhje me krijimin e qeverisë së re.
Kryeministri Edi Rama në shtator do të formojë qeverinë e re. Në dy mandatet e para ka pasur një grup “besnikësh” të cilëve u ka besuar postet ministrore për një kohë të gjatë, a mendoni se do të vijojë të qeverisë po me këta emra?
“Po flasim për ‘qeveri besnikësh’. A mund të flasim për ‘qeveri jo-besnikësh’? Më duket se asnjëri nga dy ‘fjalorët’ nuk është i saktë në sensin e të drejtës dhe të shtetit. Nuk mund të ketë qeveri me ‘jo- besnikë’. Ministrat janë njerëz të zgjedhur me dorë nga kryeministri.
Janë të zgjedhur edhe për besimin që i japin kryetarit të qeverisë për realizimin e programit të tij. Jam çuditur sa herë kam dëgjuar e lexuar në media pse ministrat shkojnë sipas planit të kryeministrit, ose pse ministrat i binden kryetarit të qeverisë. Por sidoqoftë… Me siguri kryeministri Rama do të bëjë ndryshimet e nevojshme, sipas tij. Ata që do të mbeten janë një dëshmi se kryeministri ka vlerësim dhe besim për punën e tyre. Por le të mbahemi pak në idenë e ‘qeverisë besnike’. Edhe kjo ka një kuptim- sipas idesë suaj kritike.
Ju sigurisht mbartni një ngarkesë të hidhët mbi ‘besnikët’ në qeveri. Ne e kemi provuar këtë në mënyrë humbëse për interesat e publikut dhe të shtetit. Kemi provuar disa ‘besnikëri’ fatale qeverisëse. E para është besnikëria rajonale. Një traditë e keqe e periudhës komuniste na dëshmon se ministrat zgjidheshin nga zonat besnike ndaj Luftës dhe ndaj komunizmit.
Kjo u shfaq edhe në 30 vjet. Kemi provuar ‘ qeveri të Tropojës’ që ishin jo aq besnikë të Berishës se sa kundërshtarë të Jugut. Kishim qeveri të Skraparit, qeveri të Tepelenës… Të gjitha me thelbin e besnikërisë ‘ nga fshati i kryeministrit’. Keni lexuar këto ditë një poezi të Namik Dokles? Ja si thotë ai: “Kalo Vjosën, hyn në Vlorë/ Pesë ministra me këmborë”. Ja kështu.
E dyta është besnikëria familjare. Qeveritë e Berishës janë tipike qeveri tribale: Familja, fisi, kushërinj të kushërinjve… Çfarëdo mediokri e njeriu qesharak bënte pjesë në qeveri, veç pse ishte ‘yni’. Këto janë qeveri të modelit të Mafies. Mafia ndërtohet mbi bazë të fisit, sidomos mafia në Ballkan.
E treta, besnikëria mbi bazën e firmës. Kemi parë qeveri me ministra dhe zyrtarë që janë rekrutuar në qeveri vetëm si njerëz ‘ të bindur’ për të firmosur afera korruptive për kryeministrin. E pastaj kanë përfunduar në lumë. E shikoni çfarë po ndodh me Fatmir Mehdiun? Ishte ministër i Berishës dhe po paguan për korrupsionin e familjes së tij.”, tha Çupi për Fjala.