Gjykata Kushtetuese me shumë gjasë do të ketë 9 anëtarë para se të merret vendimi për shkarkimin e presidentit nga detyra. Aktualisht kjo gjykatë ka 6 anëtarë me mandat të plotë, ndërkohë Vitore Tushës i ka mbaruar mandati. 3 emrat e fundit janë propozime të Gjykatës së Lartë dhe duket se procesi po ecën me ritme të shpejta.
Në fillim të muajit u mbyll gara dhe ishin 9 emra që shfaqën interes. KED mori në dorë listën dhe caktoi relatorët për secilin emër.
Por duket se relatorët kanë tashmë çdo gjë gati sa i takon verifikimit paraprak për secilin kandidat dhe plani si do procedohet më tej. Të mërkurën KED do të mblidhet në seancë plenare dhe do të shqyrtohen gjetjet e tyre.
“Bazuar në Ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregullores së brendshme për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” (e përditësuar), K.E.D. njofton thirrjen e mbledhjes së radhës, ditën e mërkurë, 28 Korrik 2021 ora 13:30, pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me këtë rend dite: Mbi ecurinë e procedurave të kandidimit për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese nga organi i emërtesës Gjykata e Lartë, për vendet vakante që krijohen pas mbarimit të mandatit ose largimit respektivisht të znj. Vitore Tusha, të z. Fatmir Hoxha dhe z. Gani Dizdari. Diskutime mbi çështje që i takojnë kësaj etape të kandidimit, të evidentuara nga relatorët përkatës”, thuhet në njoftimin e KED.
Shkarkimi i presidentit
Plotësimi i Kushtetueses me 9 anëtarë vjen në një kohë kur është në proces shkarkimi presidenti. Aktualisht duhet të kemi një rezultat të paktën 5 me 2 qoftë për shkarkimin, qoftë kundër tij. Nëse nuk kapet ky numër gjithçka mbetet nul dhe presidenti nuk shkarkohet. Por me emërimin e 3 emrave të tjerë situata ndryshon totalisht, pasi Kushtetuesja i ka numrat të vendosë pro ose kundër. Pra duket se Meta do ketë një betejë të vështirë në ditët në vijim.
Kandidatët për në Kushtetuese
Gjykata e Lartë njoftoi se kanë aplikuar 9 persona për 3 vendet vakante në Kushtetuese. Albert Demirneli dhe Alket Jaupi, kanë kandiduar për vendin vakant të krijuar nga largimi i Fatmir Hoxhës, ndërsa kandidatët Dhimitrula Spiro, Ervin Karamuço, Helena Papa, Sandër Beci, Vatë Staka dhe Zhaklina Peto kanë shfaqur interes për vendet vakante të krijuara nga largimi i gjyqtarëve Fatmir Hoxha dhe Vitore Tusha.
Vetëm njëri prej kandidatëve në listë, Saimir Visha, nuk e ka specifikuar për cilin nga vendet vakante aplikon. Nga emrat aplikantë, vihet re se ka emra të njohur, ku Saimir Visha është kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë. Visha është një ndër avokatët më të njohur në vend, jurist me përvojë të gjatë, njohës i çështjeve kushtetuese dhe mbështetës i reformës në drejtësi. Ervin Karamuço vjen nga radhët e pedagogëve. Ai mban gradat profesor-doktor dhe jep mësim pranë Fakulteti Juridik në Tiranë. Karamuço ka përvojë të gjatë në botën akademike dhe ka bashkëpunuar në shumë projekte ndërkombëtare.