Një 56-vjeçar është arrestuar në pikën kufitare të Muriqanit në Shkodër, pasi në makinë i janë gjetur afër 500 mijë euro të padeklaruara.
Gjatë kontrollit në makinën tip ‘Benz’ të Rudolf Radit, lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali, në vijën e dytë, shërbimet e policisë gjetën të fshehura në mjet, 494.785 euro, të cilat nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. 56-vjeçari i kishte fshehur eurot brenda tapicerisë së makinës.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Rudolf Radit, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.