Nga Mero Baze
Fatmir Mediu është nën hetim për çështjen e Gërdecit. Ajo është një nga ngjarjet më tragjike të historisë së Shqipërisë, ku grykësia për të vjedhur në emër të familjes së kryeministrit vrau 26 vetë dhe plagosi rreth 300 të tjerë, pa llogaritur dëmet materiale.
Rihapja e çështjes së Gërdecit kaloi pa shumë bujë në shtypin shqiptar, edhe pse aty në të vërtetë fajtori nuk është Fatmir Mediu, por i biri i kryeministrit, i cili nuk është hetuar asnjëherë për atë çështje.
Këto ditë qarkulloi një lajm mbi punësimin e Eli Farës në dy ministritë që ka drejtuar Mediu, dhe ky i fundit po masakrohet nën dyshimin se ka abuzuar me pushtetin për çështje private.
Në fakt, ka plot gjurmë të këtij abuzimi, qoftë dhe sikur të verifikosh kush i ka përdorur makinat e Ministrisë së Mbrojtjes faktikisht.
Në një rast kam hasur në një kompani sigurimi një dokument që rimbursonte makinën e karamboluar të këtij dikasteri, që ka pas shofere personazhe të tillë.
Në fakt, kudo në botë do ta masakronin. Presidenti legjendar i Francës, Zhak Shirak, u dënua me dy vite burg për tre punësime të tilla në Bashkinë e Parisit, edhe pse nuk dyshohej se kishte ndonjë raport tjetër, përveçse politik me të punësuarit.
Ndaj e kuptoj irritimin e opinionit publik në këtë rast, pasi më shumë se sa një agresivitet ndaj keqpërdorimit të pushtetit, është një agresivitet që vjen nga mbushja e kupës së politikanëve, me abuzimet e pushtetit.
Por unë nuk dua që Mediu të ketë fatin e Zhak Shirakut për këtë çështje, edhe pse është shumë e drejtë ta ketë, nëse i provohet abuzimi.
Ai duhet të dëshmojë për një krim i cili ka marrë jetën e 26 qytetarëve shqiptarë dhe që nuk është hetuar kurrë prapavija politike e tij.
Fatmir Mediu nuk është fajtor për atë krim, por është përgjegjës. Ai është njeriu që loboi kontratën pasi në zyrën e tij shkoi 42 herë djali i Sali Berishës, i cili ishte pronari “de fakto” i atij biznesi, duke përdorur biznesmenë që ishin në atë treg.
Do të isha më i kënaqur që Mediu të rrëfehej para Gjykatës për Shkëlzenin, se sa për Eli Farën. Këtë të dytën e marrim të gjithë me mend, dhe po nuk na e tha. Atë të parën e dimë të gjithë, por dëshmia e Mediut do të vinte në vend drejtësinë.
Unë nuk shpresoj se do ta bëjë kurrë. Njerëzit e mafies bazohen mbi fjalën e dhënë, ose kokën e prerë. Ndaj dhe populli gjen rastin ta shfrejë dufin tek kjo afera me Elin, pasi e dinë që ai nuk do të rrëfehet kurrë për Shkëlzenin.