Rojet bregdetare greke dhe turke aktualisht po kërkojnë të paktën 8 persona që u zhdukën pasi një anije që mbante 45 migrantë nga Lindja e Mesme u fundos në ishullin e Kretës. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se anija ishte nisur drejt brigjeve të Italisë.
Policia greke tha se 37 persona, kryesisht nga Lindja e Mesme, u shpëtuan në mot të keq pasi anija e tyre u fundos pranë ujërave ndërkombëtare të enjten. 5 prej tyre u dërguan me helikopter në ishullin grek Karpathos dhe 30 të tjerë, përfshirë një grua dhe një fëmijë, në qytetin Lerapetra, në juglindje të Kretës.
Sipas autoriteteve atje, erërat e forta penguan kërkimet. Policia citoi të mbijetuarit të thoshin se 8 deri në 12 persona të tjerë ishin me ta në anije kur ajo u mbyt, 60 milje detare në juglindje të Kretës.
Nga ana e saj, Ministria turke e Mbrojtjes tha se dy fregata dhe një aeroplan patrullimi detar po kërkojnë gjithashtu të zhdukurit.
Emigrantët e paligjshëm shpesh përdorin Turqinë si një pikë tranziti për të arritur vendet evropiane. Shumë mbështeten te kontrabandistët dhe rrezikojnë jetën e tyre për të marrë pjesë në udhëtimet e rrezikshme me anije të tejmbushura.