Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë alarmin për nivelin e korrupsionit në vend. Teksa SPAK ka zbuluar abuzime të shumta me tenderët, alarmi është ngritur edhe nga përtej Atlantikut, pasi situata shihet mjaft shqetësuese.
Departamenti i Shtetit ka zbardhur raportin e vitit 2021 për klimën e investimeve në Shqipëri dhe shqetësimi kryesor është korrupsioni. Sipas raportit, korrupsioni shtrihet në shumë institucione dhe kjo po pengon investimet e huaja, veçanërisht ato amerikane. “Korrupsioni endemik vazhdon të minojë shtetin e së drejtës dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik.
Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, ekonominë informale dhe zbatimin e dobët të kontratave si disa nga problemet më të mëdha në Shqipëri”, thekson raporti. Sipas tij, edhe pse ka një përmirësim krahasuar me vitin 2013, përparimi në luftimin e korrupsionit ka qenë i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm. Sipas DASH, gangrena e korrupsionit vijon të mbetet sistemi gjyqësor.
“Vendi ka një kornizë të shëndoshë ligjore për të parandaluar konfliktin e interesit dhe për të luftuar korrupsionin e zyrtarëve publikë dhe politikanëve, përfshirë anëtarët e familjes së tyre. Sidoqoftë, zbatimi i ligjit rrezikohet nga një sistem gjyqësor i korruptuar rëndë…
Sistemet ligjore, rregullatore dhe të kontabilitetit në Shqipëri janë përmirësuar vitet e fundit, por ka ende shumë sfida serioze. Korrupsioni endemik, zbatimi i pabarabartë i legjislacionit, burokracia e rëndë, shtrembërimi i konkurrencës dhe mungesa e transparencës pengojnë të gjithë komunitetin e biznesit”, thuhet më tej.
Reforma në drejtësi
Amerikanët besojnë se zbatimi me sukses i reformës në drejtësi do të përmirësojë klimën e biznesit në vend. Sipas raportit të DASH reforma po ecën me ritme të mira, ndërsa bëhet një pasqyrim i situatës. “Kalimi i ndryshimeve kushtetuese në korrik 2016 për të reformuar sistemin gjyqësor ishte një hap i madh përpara dhe reforma pasi të zbatohet plotësisht, pritet të pozicionojë vendin si një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë.
Reforma në drejtësi është zhvillimi më domethënës në Shqipëri që nga fundi i komunizmit dhe gati një e treta e Kushtetutës u rishkrua si pjesë e kësaj përpjekje”, thekson raporti. Më tej përmendet edhe Prokuroria e Posaçme. Sipas DASH kjo prokurori do të godasë fort korrupsionin. “Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë përballur me vetingu, ose kanë ngelur ose kanë dhënë dorëheqjen.
Krijimi i Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të shtojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pasi të zbatohet plotësisht, reforma në drejtësi do të dekurajojë korrupsionin, do të promovojë investime të huaja dhe të brendshme dhe do të lejojë Shqipërinë të konkurrojë në ekonominë globale”, thekson raporti.