Ne, media, nuk do mërzitemi dhe as pezmatohemi me indiferencën e drejtësisë shqiptare, sidomos kur na vijnë sinjale, se ekziston një listë, edhe pse nuk është bërë publike ende, e një sërë biznesmenësh, që në zhargon shpesh i thërrasim oligarkë, të cilët u është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje sipas disa burimeve konfidenciale të Ekskluzive.al, disa nga këta biznesmenë kanë kërkuar edhe arsyen e këtij refuzimi dhe përgjigja e marrë ka qenë e prerë: Korrupsion dhe ndikim në politikë për përfitime personale!
Lista është e gjatë, ku bënë pjesë ministra e ish-ministra, por sot do të vazhdojmë ciklin e denoncimeve për të gjithë aferat që duhet të hetohen, në radhët e oligarkëve miq të politikanëve të korruptuar, që e vodhën dhe e shkatërruan Shqipërinë.
Disa emra janë biznesmenët më të njohur në Shqipëri, si Samir Mane, që e ka të ndaluar të shkel në SHBA, e pas tij listës i shtohen edhe oligarkë të tjerë të ndërtimit të rezorteve luksoze në jug të vendit, pronarë të padiskutueshëm të komplekseve e vilave në periferi të kryeqytetit, pronarët e disa prej mediave më të mëdhaja në vend, të cilët janë pasuruar padrejtësisht duke ndikuar në politikë dhe politikanë të korruptuar.
Për të mos u mburrur dhe me thënë të drejtën jemi pak të trembur, sepse kjo që e kemi dekoruar dhe inkurajuar si “Drejtësi”, ka filluar luftën me ngjala dhe kanale, duke u qëndruar larg luanëve, skifterave, orlave dhe pirranjave. Mirëpo, sa më larg të shkosh pas kanaleve aq më i vështirë është kthimi… tek burimi rrëzë maleve të larta. Ndaj ne nuk kemi garanci, por për këto që themi, kemi fakte dhe prova për shumicën nga këta persona dhe shumë shpejt do i publikojmë për opinionin shqiptarë.
Sot nuk do merremi me Samirin, por me “gjitonin” e tij, Florenc Gjikuria, pronar i “Gjikuria shpk”, i njohur për oreksin e tij të parave publike, pasi është fitues i koncesionin Partneritet Publik Privat për ndërtimin e rrugës Porti i Jahteve-Orikum-Dukat me vlerë 70.5 milion euro, për 17 kilometra rrugë.
Në fakt “Gjikuria shpk”, e cila zotërohet 90% nga Florenc Gjikuria, është e njohur gjerësisht për shkatërrim të pronës publike dhe private, ku disa herë gjykata ka kërkuar të thirret i pandehur për disa vepra penale. Kujtojmë këtu kërkesën e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, e cila mori vendim që prokuroria të regjistrojë të pandehur firmën “Gjikuria” për 3 vepra penale, pasi prokurori e çështjes kërkoi pushimin e saj. Gjithashtu dhe Apeli la në fuqi vendimin, i cili u bë titull ekzekutiv në qershor 2019. Pavarësisht vendimit, firma Gjikuria shpk, vijoi qetësisht punimet në truallin e tjetërsuar, të cilën pronarët, familja e Fatos Pustina, e gëzojnë vetëm në dokumente.
Në fillim të muajit korrik 2021, “Gjikuria shpk” u diktua nga banorë të zonës së Orikumit, ndërsa gërmonin në afërsi të vendburimit të Çikës, pranë parkut kombëtar të Llogarasë. Oficerë të policisë së Vlorës, konstatuan në terren mjetet e rënda që po gërryenin tokën në afërsi të burimit të Çikës, ndërsa punonjësit u identifikuan si të kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk”, në pronësi të kompanisë “Gjikuria”, të cilët nuk paraqitën asnjë dokument dhe leje për shfrytëzim të inerteve të zonës.
Vetëm një ditë pas nisjes së hetimeve, Këshilli i Baseneve të Ujëmbledhësit të Vjosës, i drejtuar nga prefekti Flamur Mama, i dha kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk” në pronësi të Gjikurisë, një leje për shfrytëzimin e shtufit nga mali për projektin koncesionar të rrugës që lidh portin e Jahteve në Orikum me Dukatin. Sipas “Birn”, prefekti Mamaj pranoi se kompania nuk kishte pasur deri atë ditë leje shfrytëzimi, por ai shtoi se ajo kishte paraqitur një kërkesë që do të shqyrtohej të nesërmen.
Gjithkush pyet fare mirë, se si ka mundësi që i miratohet leja një kompanie që është konstatuar më herët për shkelje të rënda ligjore, duke kryer shfrytëzim pa leje të zonës dhe vepra penale e kryer është referuar në Prokurori? Si ka mundësi që drejtësia nuk çon të pandehur përgjegjësit e kësaj vepre penale të konstatuar në kushtet e flagrancës?
Ekziston vetëm një mundësi. Kompania dhe drejtuesit e saj i kanë të shtrira tentakulat në të gjitha hallkat e pushteteve: legjislativin, ekzekutivin, gjyqësorin dhe atë të medias!
Referuar shqyrtimit të dokumenteve të procedurës rezulton se kostoja e projektit do të jetë 50 147 416 euro, pa TVSH, ndërsa në relacionin e Këshillit të Ministrave, parashikohet se vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve– By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike e parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro, dhe pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, ajo do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar.
Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 Euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim.
Por si ka mundësi që segmentin e parë Vlorë-Orikum, i cili do të përfundohet nga BERZH, kostoja për kilometër është 600 mijë euro, ndërsa në segmentin e dytë nga Orikumi në Dukat, që po e bën “Gjikuria”, kostoja për kilometër shkon 4 milion euro? Nëse dhe segmenti i dytë do të ndërtohej njësoj sa i pari, kostoja e tij totale nuk do t’i tejkalonte më shumë se 10 milionë euro.
A duhet SPAK të krahasoj vlerën e zërave të punimeve të miratuara me Manualin e Punimeve të Ndërtimit nga MIE, me vlerën e zërave të preventivit të punimeve të kësaj rruge të dhënë me koncesion, e cila ka një vlerë për kilometër të njëjtë me Rrugën e Kombit, e cila është një rrugë mes malesh dhe punimet janë kryer nga kompania “Bechtel”, një ndër tre kompanitë më të mëdha në SHBA dhe botë, e cila ka realizuar dhe megastrukturën rrugore nëntokësore të Bostonit, e stafi teknik i të cilës është ndër më të kualifikuarit?
Si është e mundur që një rrugë, e cila nuk ka hapje traseje të re, por do të shfrytëzoj një pjesë të mirë atë ekzistuese dhe vetëm do të zgjerohet, në një zonë fushore, të kap një vlerë të tillë për kilometër?
A kemi edhe këtu abuzim si në rastin e tenderit të uniformave të policisë, nëpërmjet fryrjes fiktive të preventivit të punimeve?
Pse duhet që rruga ekzistuese ti “dhurohet” privatit ta shfrytëzoj me koncesion, kur marrëdhëniet koncesionare BOT, përcaktojnë kryerjen e investimeve të reja dhe jo marrjen e atyre ekzistuese, shfrytëzimin dhe me pas transferimin e tyre pas afatit koncesionar, shtetit?
Në vendet e Bashkimit Europian, si përshembull Italia dhe Franca, udhëtarët e mjeteve motorike mund të zgjedhin të udhëtojnë në rrugë interurbane shtetërore pa pagesë, në të kundërt autostradat, të cilat janë me pagesë tek privati.
Asnjë vend nuk i dhuron rrugët e ndërtuara nga shteti privatit, thjesht për t’i përmirësuar cilësinë e asfaltit apo zgjerimin e tyre, por për të investuar rrugë të reja në formën koncesionare.
Pse nuk u ndoq i njëjti parim si në bypassin Fier-Levan-Vlorë, ku u hap trase e re rruge dhe rruga e vjetër nga Panajaja, mbeti e pa prekur?
Qindra miliona euro vidhen çdo vit nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, e për “habi” përfundojnë gjithmonë në xhepat e një grupi të vogël njerëzish me influencë në politikë dhe politikanëve të korruptuar.
Janë mbi 170 zyrtarë dhe ish zyrtarë shqiptarë, së bashku me familjet e tyre, të cilëve, që prej vitit 2017 e deri më sot, u është mohuar ose revokuar viza për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e kjo padyshim ka qenë një përpjekjet e vazhdueshme e Ambasadës Amerikane në Tiranë, në luftën antikorrupsion në Shqipëri.
Media jonë do jetë krahë e këtyre përpjekjeve me çdo çmim, për sa kohë çdo qindarkë që del nga xhepi i shqiptarëve, po futet me dhunë e korrupsion në xhepin e zagarëve./Ekskluzive.al