Është një reaktor bërthamor prej 70 megavatësh, por me një ndryshim thelbësor; lundron dhe lëviz. Bëhet fjalë për një anije të pagëzuar nga Kremlini si “Akademic Lomonosov”. Kritikët janë më të ashpër dhe e thërrasin si Çernobili lundrues, të tjerë si Titaniku bërthamor. Në vitin 2019 pritet që të lidhet me rrjetin elektrik në qytetin arktik të Pevekut, me të cilin do të shndrrohet në reaktorin bërthamor më verior të botës, i aftë të furnizojë me energji një qytet prej 100 000 banorësh.
Prodhuesi i tij, Rosatom thotë se ka një marzh të madh të sigurisë dhe që është i pathyeshëm para cunamit dhe fatkeqësive natyrore. Grupet ambjentaliste në të gjithë botën kanë ngritur alarmin, sepse e konsiderojnë një kërcënim absolut. Sipas ekspertëve më e keqja që mund të ndodhë është që ky reaktor të përballet me erërat dhe valët e larta të Arktikut.
Anija bërthamore është ankoruar jashtë portit të Shën Petërburgut, të shtunën e kaluar, me qëllim nisjen e tij drejt Pevekut. Do t’i duhet një vit për të mbërritur në destinacion. “Centrali i energjisë lundruese ka cilësitë më të mira të centraleve bërthamore tradicionale,” – u shpreh për agjencinë e lajmeve Rojters, Vitaly Trunev, drejtori i Rosenergoatom-it. “Është i mbrojtur kundër çdo lloji dëmi natyror dhe teknik,” – siguroi ai.
Nuk është vetëm një shqetësim ndërkombëtar; mbi 1000 persona kanë firmosur në Rusi një peticion që centrali të mos transferohet në Pevek. Gjatë qëndrimit në Shën Petërburg pati shqetësime zyrtare të autoriteteve lokale, për shkak të krizës që mund të përshkallëzohej, nëse do t’i ndodhte gjë anijes në një qytet me 5 milionë banorë.
Anija do të lundrojë në detin Balltik, në veriun e Norvegjisë deri në Murmansk, një qytet rus me më shumë se 300 000 banorë, ku do të furnizohet me karburant. Do të ankorohet në gadishullin e Kamçatkës, në Arktik dhe në fund në brigjet e Pevekut, ku do të zëvëndësojë një reaktor të vjetër.
Në vitin 2019 instalacioni i parë do t’i japë energji qytetit portual dhe platformave naftënxjerrëse. Shoqëria prodhuese është në bisedime për blerës të mundshëm në jug të Azisë, Amerikës Latine dhe në Afrikë. Sipas lajmeve ruse vlerësohet se gati 15 vende kanë treguar interes në platformat bërthamore lundruese. Greenpeace ka një sërë shqetësimesh lidhur me këtë temë. / Bota.al