Ish-kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka folur sa i përket vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të shpallur “non-grata” ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në një intervistë televizive, ai u shpreh se kjo është një ngjarje e rëndë për Berishën dhe për atë që ai përfaqëson në politikën shqiptare.
Patozi theksoi se ky është edhe një mesazh për të tjerët. “Është një ngjarje e rëndë në radhë të parë për Sali Berishën vetë dhe për atë që ai përfaqëson në politikën shqiptare dhe nuk përfaqëson pak. Është njeriu që ka dominuar skenën politike për 30 vite me radhë.
Duke goditur Sali Berishën, SHBA kanë ngritur stekën dhe kanë treguar që të gjithë të tjerët gjenden poshtë nivelit të atij”, tha Patozi. Ndër të tjera, ai i cilësoi si pozitiv dhe sinjal për ndryshim vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi nenin që shpërndan mandatet e kandidatëve për deputetë sipas herësit.
Patozi theksoi se ky vendim do t’u shërbejë shumë zgjedhjeve të ardhshme në vend.
“Është një lajm i mirë, se fitore është një fjalë e madhe, pavarësisht se kjo ishte kauza jonë që në nisje. Për ne ka qenë si të thuash mishërimi i një beteje politike, e cila nuk i shërben as Bindjes Demokratike, sa i shër-ben Shqipërisë, më tepër për të dhënë një sinjal ndryshimi. Ne do të preferonim që kjo të kishte vlerë për zgjedhjet që sapo u mbyllën. Por, nuk shpresoj që Gjykata Kus-htetuese do t’ia lejojë vetes që të japë efekt prapaveprues ligjit. Ne mendojmë që do të ketë vlerë për të ardhmen”, deklaroi ai.
Teksa foli për humbjen e PD-së në zgjedh-je, Patozi theksoi se kjo parti e ka merituar rezultatin që mori nga zgjedhjet. Sipas tij, PD nuk ka bërë asnjë akt apo gjest për të treguar veten ndryshe nga qeveria. “PD e ka merituar rezultatin e saj, këtë nuk ka nevojë ta them unë, por e ka thënë ajo vetë me mënyrën sesi realizoi zgjedhjet e kryetarit menjëherë pas 25 prillit dhe mënyrën sesi po shkon në një Kongres që po konsolidon edhe më shumë pushtetin e kryetarit”, tha Patozi.