Kur kanë kaluar gjashtë muaj nga hetimet që kanë nisur ndaj tij, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vendosur të largohet nga Kuvendi, duke dorëzuar mandatin e deputetit.
Tashmë Saimir Tahiri është qytetar i lirë dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka duart e lira për të proceduar më tej.
Nuk mund të justifikohen më Krimet e Rënda, se po i pengon politika.
CNA.al ka pyetur kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, se a do të procedojnë me arrestimin e Saimir Tahirit, ashtu siç ishte kërkuar më herët, pasi tashmë nuk ka imunitet.
Hajdarmataj, ka heshtur dhe as nuk e ka mohuar , por as nuk e ka pohuar arrestimin e Tahirit.
Risjellim në vëmendje se në fund të tetorit të vitit 2017, për dy ditë radhazi, grupi i prokurorëve të krimeve të Rënda të kryesuar nga Hajdarmataj, kërkoi me ngulm, që t’i hiqej imunitetit Tahirit, në mënyrë që të procedohej me arrestimin e tij.
Në Këshillin e Mandateve, Hajdarmataj, ndërsa kërkonte autorizimin e për arrestimin e Saimir Tahirit, ka folur për prova.
“Kemi bërë verifikime dhe jemi të bindur se ato biseda përputhen. Tahiri, gjatë vitit 2013, duke pasur në pronësi një automjet të tij, e kishte shitur te njëri prej vëllezërve Habilaj. Na ka rezultuar më pas se ky automjet është përdorur sërish nga Tahiri. Ne kemi ardhur për të kërkuar thjesht heqjen e imunitetit që në çdo moment të jetë i ekspozuar ndaj një mase sigurie të mundshme. Saimir Tahiri akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë të shtetit”, ka thënë Hajdarmataj para Këshillit.
Përgjatë gjithë këtyre muajve Krimet e Rënda dy herë radhazi kanë kërkuar shtyrjen e afateve hetimore, ndërsa po mbajnë shpresa dhe tek letërporositë e dërguara në Itali dhe Greqi.
Por, duket se gjithçka ka qenë një skenar, madje pa prova për të arrestuar ish-ministrin e Brendshëm.
Tahiri sot është pa imunitet dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda me Besim Hajdarmatajn në krye, nuk mund të thotë se po pengohen nga politika.
Politika akuzoi, koha foli, prokuroria dështoi…/CNA.al