Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj të 30 qershorit, ku pranoi pjesërisht kërkesën e partive Bindja Demokratike dhe të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim për të shfuqizuar nenin që shpërndan mandatet e deputetëve sipas logjikës së herësit.
Sipas Gjykatës, “pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur”.
Organi më i lartë i drejtësisë në vend e cilësoi zbatimin e herësit si “një mekanizëm disproporcional në raport me qëllimin e tij”, dhe se në përcaktimin e tij nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës.
Bindja Demokratike Dhe LDN e Myslim Murrizit e kishin dorëzuar kërkesën në 29 dhjetorin e kaluar, ndërkohë që shqyrtimi i Gjykatës kishte filluar më 9 qershor, m enjë vendim që u mor me 6 vota pro dhe një kundër, ai i gjyqtarit Altin Binaj.
Pengesa e herësit u vendos nga Partia Socialiste së bashku me disa deputet të opozitës parlamentare që bashkuan votat për të ndryshuar fillimisht kushtetutën e më pas Kodin Zgjedhor nën argumentin e hapjes së listave të kandidatëve për deputet.
Pjesë nga vendimi
“Në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit.
Në përfundim, Gjykata vlerëson se kërkesa për shfuqizimin e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën, është pjesërisht e bazuar sipas arsyetimit të këtij vendimi.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “gj” dhe 134, pika 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,
V E N D O S I:
Pranimin pjesërisht të kërkesës.
Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 30.06.2021
Shpallur më 13.07.2021