Operacionet e fundit policore të udhëhequra nga Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duket se iu kanë futur të dridhurat socialistëve.
SPAK ka vënë në pranga disa gjyqtarë, prokurorë dhe efektivë policie, ndërsa ndëshkimit të darëve të ligjit nuk i kanë shpëtuar as edhe kreu i Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe dhe disa vartës të tij, si dhe 9 zyrtarët të lartë të Ministrisë së Brendshme. Por duket se këto lëvizje të Prokurorisë Speciale kanë shkaktuar alarm në dhjetëra ministri e bashki.
Gazeta ka mësuar se këta të fundit ndihen të frikësuar dhe kanë shtura vigjilencë, ndërkohë që janë në ankth për shkak se nuk e dinë nëse janë vënë nën hetim apo do të hetohen nga SPAK. Madje, mësohet se këtë bindjen ministrat dhe krerët e bashkive e kanë krijuar edhe pas vendosmërisë së organeve të reja të drejtësisë për të luftuar me zero tolerancë korrupsion dhe pas takimeve që kanë pasur me shefin e qeverisë, i cili iu ka bërë një “dush të ftohtë” të gjithë vartësve të tij nga pushteti vendor deri tek qendror dhe Ministria e Brendshme (Policia e Shtetit).
Hetimet në radhët e mazhorancës
Por teksa dhjetëra ministra dhe krerë bashkish janë në kushtrim, kryeministri Edi Rama nga ana tjetër, është i vendosur për të mos lejuar që PS dhe postet në pushtetin vendor apo qendror, të mos kthehen në mburojë për individë që janë përfshirë në afera, korrupsion dhe krim të organizuar.
Sipas informacioneve nga selia rozë, mësohet se kryeministri Rama është shprehur pranë bashkëpunëtorëve të tij se ai do t’u hapë rrugë hetimeve në radhët e zyrtarëve të mazhorancës, duke mos u bërë pengesë nëse Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit troket në dyert e Partisë Socialiste, qeverisë, bashkive apo drejtorive. Pra, përmes kësaj lëvizje, shefi i ekzekutivit, i hapë rrugë hetimeve në radhët e zyrtarëve të mazhorancës.
Rama ndryshime rrënjësore ministrash në shtator
Megjithatë që të ndodhë një gjë e tillë dhe Prokuroria Speciale të ketë rrugën e hapur dhe asnjë pengesë në punën e saj për të goditur politikanët dhe zyrtarët e korruptuar, duhet edhe ndihma e shefit të qeverisë.
Sipas informacioneve, mësohet se kryeministri Rama ka ndërmend që të bëjë ndryshime rrënjësore ministrash në shtator. Këtë veprim, mësohet se Rama po e ndërmerr në kushtet kur ai ka dhënë garanci se PS dhe qeveria nuk do të jenë mburojë për të korruptuarit, por edhe në kushtet kur disa nga ministrat aktualë apo edhe ish-ministrat akuzohen për korrupsion e jo vetëm.
Pra, zoti Rama pritet që në qeverinë e re në shtator të promovojë figura të reja dhe që nuk janë përlyer apo akuzuar për korrupsion apo vepra të tjera penale. Kështu që, shefi i qeverisë ka vendosur të lërë jashtë kabinetit ish-ministrat dhe ministra aktualë, në mënyrë që të mos marrë kosto, në rast se ndaj tyre SPAK nis hetime, pasi kërkon një qeverisje të pastër dhe larg telasheve. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. /Rigels Seliman