Arrestimet e ditëve të fundit duket se nuk do të jenë lëvizjet e vetme të Prokurorisë së Posaçme. I pari që ra në rrjetën e SPAK ishte kryebashkiaku i Lushnjes, ndërsa të shtunën në pranga përfunduan zyrtarët e Ministrisë së Brendshme.
Por duket se në ditët në vijim do të kemi shumë emra të tjerë që do të përfundojnë pas hekurave. Gazeta “SOT” ka siguruar të dhënat e dosjeve që ka SPAK në dorë sa u takon çështjeve të korrupsionit. Sipas informacioneve, janë 50 procedime penale për shpërdorim detyre, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal.
Po ashtu në SPAK janë 5 procedime për fshehje apo mosdeklarim pasurie nga zyrtarë të lartë. Mes emrave në fjalë ka dhe deputetë. Sa u takon tenderave, janë 50 dosje që po hetohen nga SPAK. 2 duket se u zbardhën, por janë dhe shumë të tjera në proces dhe shumë ministri e zyra bashkie do të kalojnë në skaner.
SPAK ka në dorë 30 procedime penale për korrupsion të personave që kanë funksione publike. Ndërkohë kemi 5 procedime për korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe njerëzve të tjerë të drejtësisë. Ndërkohë 57 procedime janë për korrupsion pasiv të njerëzve të drejtësisë. Ndërkohë janë 12 procedime për mitmarrje. Pra janë rreth 200 procedime në duart e prokurorëve të posaçëm, me qindra emra të kallëzuar dhe që po hetohen.
Dosjet VIP
Mes emrave me dosje në prokurori është presidenti Ilir Meta. Padia është bërë nga juristi Romeo Kara, i cili ka dorëzuar një kallëzim për marrëveshjen CEZ-DIA.
Juristi Kara në padinë që ka bërë në prokurori, ka dorëzuar 300 faqe me informacion, ndërsa ka bërë një renditje të argumenteve të tij se përse kemi vepër penale. Janë rreth 30 argumente, ku implikojnë Metën, Berishën dhe qeverinë e asaj kohe.
Një tjetër emër i njohur me dosje në prokurori është ish-kryeministri Berisha. Përveç padisë për aferën CEZ-DIA, një dosje e fortë është dhe ajo e privatizimit të Kompleksit Partizani, ku Berisha është paditur bashkë me dhëndrin e tij dhe ish-ministrin Arben Imami.
Momentalisht në SPAK janë disa kryetarë bashkie të paditur penalisht. E para që u padit është Miranda Rira, ish-kryebashkiake e Prrenjasit, paditur për shpërdorim detyre. Po për të njëjtën akuzë është paditur Xhelal Mizu, ish-kryebashkiaku i Kamzës dhe Juliana Mema, kryebashkiakja e Dimalit.
Ndërkohë duhet theksuar se ish-kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami u dënua nga gjykata. Një dosje voluminoze është ajo e inceneratorëve, ku PD dhe LSI kanë paditur kryebashkiakun Veliaj, ish-ministrin Koka dhe disa zyrtarë të tjerë. Po ashtu kemi dosjen e koncesioneve në shëndetësi, ku i paditur është ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj. Pra duket se do të kemi ditë të nxehta, pasi SPAK po jep sinjale se po hetohen abuzimet edhe pse deri më tani nuk kemi parë arrestime në nivele të larta.