Edhe pse ishte paralajmëruar për t’u mbledhur këtë të shtunë që lamë pas, Partia Demokratike do të mbledhë të enjten e 15 korrikut Kryesinë e PD.
Gazeta ka mësuar se mbledhja do të nisë në orën 18:00, ndërsa është zbardhur edhe rendi i ditës. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili dy ditë më parë iu ka dërguar një mesazh anëtarëve të Kryesisë, duke i njohur me rendin e ditës.
Mbledhja e Kryesisë së PD do të nisë me një përmbledhje të analizës për zgjedhjet e 25 prillit, më pas do të shqyrtohen edhe ndryshimet në Statutin e PD që do t’i propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar të partisë, në mbledhjen e 17 korrikut.
“Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Ditën e enjte, datë 15.07.2021, ora 18:00 do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me këtë rend dite: Shqyrtimi i përmbledhjes së analizës së masakrës zgjedhore të 25 prillit, për fazën e parë të saj;
Shqyrtimi i ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike që do t’i propozohen për miratim Kuvendit Kombëtar të Partisë, në mbledhjen e tij të datës 17 Korrik 2021; Miratimi i urdhrit për ngritjen e Komisioneve të Votimit dhe Numërimit për zgjedhjet e anëtarëve të Këshillit Kombëtar në mbledhjen e datës 17 Korrik 2021 të Kuvendit Kombëtar”, thuhet në mesazhin e Bardhit.
Basha mbyll spastrimet, gati emrat e Këshillit
Por interesant është fakti se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pritet që t’u japë një dorë të mirë spastrimeve në PD, ku padyshim që kritikët e tij, priten të largohen nga postet drejtuese.
Sipas mesazhit që ka mbërritur në celularët e anëtarëve të Kryesisë së PD, lideri demokrat ka gati edhe listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, duke qenë se pas humbjes që Partia Demokratike pësoi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ky organ do të rinovohet.
“Njoftimi nga Kryetari i Partisë i listës që do të propozojë për votim për kandidatët për anëtarë të Këshillit Kombëtar. Të mërkurën, datë 14.07.2021, orën 11:00, do të zhvillohet mbledhja e Komisionit të Përhershëm Statutor, për të shprehur mendimin e tij për propozimet që do të vijnë deri të martën, datë 13.07.2021, nga anëtar të Komisionit, anëtar të Kryesisë, Kryetari i Partisë, anëtar të Këshillit Kombëtar, apo strukturat lokale të Partisë”, thuhet në mesazhin e Bardhit.
Kjo do të thotë se lista e Bashës do t’i kalojë për votim Kuvendit Kombëtar, i cili do të mblidhet dy ditë pas Kryesisë së PD, pra në 17 korrik. Mirëpo, kjo duket edhe si lëvizje strategjike nga ana e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi me këtë vendim dhe strategji të ndjekur që brenda 3 ditësh mbyll punë me spastrimet dhe ndryshimin e statusit, në një farë mënyre iu lidh duart edhe kritikëve që të kontestojnë vendimmarrjet e Kryesisë dhe Komisionit të Përhershëm Statutor.
Pra, nëse çdo gjë shkon sipas parashikimeve, Basha mbyll spastrimet në PD brenda 3 ditëve dhe ka gati edhe emrat e Këshillit Kombëtar, që presin vetëm të votohen në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.