Lulzim Basha ka probleme serioze me Prokurorinë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
Probleme që u vunë re edhe dje gjatë publikimit të SPAK në lidhje mbi hetimin e tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit.
Një opozitë normale, në çdo vend të Bashkimit Europian, apo kandidat për Bashkimin Europian, edhe nëse është një formacion politik pupulist, apo ekstrem i djathtë, ekstrem i majtë, apo çdo lëvizje tjetër që natyrisht gjallon në politikën e vendeve të BE-së, ka vetëm një qëndrim normal kur drejtësia e atij vendi hap një dosje ndaj zyrtarëve të administratës shtetërore: Përshëndet në parim hetimet për të ndalur abuzimet me fondet publike, përkrah organet e drejtësisë, e në fund jep qëndrimin standard: Tani e ka fjalën drejtësia, çdo politizim i çështjes, thjesht e dëmton atë, madje dëmton edhe nxjerrjen e së vërtetës.
Këtë qëndrim e mban nga Salvini në Itali, Mari le Pen në Francë, apo ADF ekstremiste në Gjermani.
Madje edhe kur kanë hetime ndaj eksponentëve të tyre. Partia kryesore e qendrës së djathtë në Francë nuk tha asnjë fjalë në lidhje me hetimet ndaj ish-Presidentit Sarkozy. Siç nuk ka thënë asnjë fjalë Partia Socialiste Franceze, kur Prokuroria hetoi legjendën Francoise Mitterrand.
Lulzim Basha, por edhe PD-ja e tij, kanë probleme bazike jo thjesht me SPAK, por edhe me prokurorinë dhe hetimet ndaj zyrtarëve publikë në parim. Probleme që kanë edhe emrin e Bashës, kur kryetari i sotëm i PD-së ishte ministër i Sali Berishës. Ai, asnjëherë nuk është paraqitur në Prokurorinë e Republikës, edhe kur ndaj tij ka pasur një akuzë publike për një abuzim për qindra milionë eurosh për rrugën e Kombit.
Por t’i kthehemi, rastit të djeshëm, dhe atyre të ditëve të fundit.
PD-ja dhe mediat pranë saj, kanë nisur të bëjnë një konspiracion mbi hetimet, duke i komentuar sipas mides, duke akuzuar madje edhe njollosur ata zyrtarë që Basha e opozitë synon e kërkon.
Basha akuzoi Ramën, duke deklaruar se “peshku qelbet nga koka”, ndërkohë që nuk e ka mbajtur fare këtë qëndrim kur Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata Sali berishën për “korrupsion të rëndësishëm, minim të demokracisë dhe pengim të drejtësisë”.
Mediat, mund dhe normalisht kanë të gjithë rrugët të bëjnë investigimet e mundshme në lidhje me hetimin që ka nisur SPAK. Për të cilin, duhet thënë se ka pasur disa herë investigime nga media shqiptare, të cilat nuk kanë qenë pranë PD-së, por ata që Basha i quan “media të regjimit”. Për uniformat e policisë, është folur që prej kohës që PD është në pushtet, madje një prej këtyre personave ka dalë edhe në një hetim tjetër të SPAK. Por, tani fjalën e ka “hetimi zyrtar”. i cili ka metodologji, procedura të qarta ligjore, e natyrisht gjykatë, e cila është ajo që do të vendosë për masat e kërkuara nga Prokuroria.
Lulzim Basha, e quan SPAK-un skap, prej disa vitesh, madje ka emëruar si kreu i zyrës ligjore, një linçues zyrtar të Prokurorisë Speciale.
I mësuar me një prokuror të kapur prej PD-së si Adriatik Llalla, Basha kujton se kur ai kërkon arrestim apo mbyllje dosjeje, mund ta bëjë nga konferenca e shtypit të PD-së. Por nuk është kjo koha. Për SPAK, Basha, ka kontribuar që të mos ngrihet fare, apo të ngrihet sa më vonë që të jetë e mundur. Madje prokurorët i ka cilësuar si militantë, nga mediat e rrjetet e tij, që i linçon vazhdimisht.
Basha, ka përdorur materialet konfidenciale hetimore, siç janë inçizimet e Shijakut dhe Dibrës, duke ndikuar rëndë në shkatërrimin e mos hetimin e drejtë të të ashtuquajturave dosje 184 e 339. Madje, Basha, nëse do të kishte një standard “drakonian” të një prokurorie speciale, mund të ishte një nga të hetuarit për “pengim të drejtësisë”.
Dalja e Alibeajt, për të vënë gjoba e sulmuar kujt i vijen për mbarë, i ka prerë rrugën deklarata mjaft e fortë e Myslym Murrizit, i cili i ka çjerë realisht tisin e hipokrizizë, si PD-së, por edhe zyrtarëve si Alibeaj që kanë qenë edhe njerëz që kanë firmosur dikur prokurimet publike në vend.
Partia Demokratike, mund të vijojë të shpikë telenovela të tipit “Babale” nga hetimet e SPAK, por sipas të gjitha gjasave, kur të nisin hetimet në shtëpinë e saj, madje në kupolën e saj, fantazia do të squllet, e në skenë do të dalin lot e kërcënime, duke kërkuar vetëm një gjë që dinë: meqë po hetohet Berisha, përse nuk bëhet e njëjta gjë edhe për anën tjetër, pra për Ramën e ku di unë emrat e fantazisë së tyre. E në fakt ky është problemi më i madh që ka Basha me SPAK, kur heton kundërshtarët e tij, i quan “të mirë”, ndryshe i sulmon dhe i akuzon për militantë… /Nga Ylli Pata