Byroja Kombëtare e Hetimit po shkon drejt plotësimit të vendeve vakante për hetues. Përmes një njoftimi publik në faqen zyrtare, BKH ka bërë me dije se ka përmbyllur dje fazën e korrigjimit të esesë dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
Sipas njoftimit, nga testi i esesë janë kualifikuar 163 kandidatë për fazën tjetër dhe tashmë do t’i nënshtrohen intervistës. Ndërsa sqaron se korrigjimi i eseve, ashtu si çdo fazë tjetër është zhvilluar në praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, njoftimi thekson se vendi, data dhe ora e zhvillimit të Intervistës dhe udhëzime të hollësishme do t’u bëhen të ditura në një njoftim të më vonshëm.
“Korrigjimi i Eseve u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri. Falënderojmë gjithë aplikantët që shprehën vullnetin për të marrë pjesë në këtë konkurrim”, thuhet në njoftim.
Sakaq, sqarojmë se nga 163 kandidatët e mbetur në garë vetëm 36 do të kualifikohen pas fazës finale për të plotësuar vakancat e mbetura në BKH. Më pas Byroja e Hetimit do të jetë plotësisht e gatshme të kryejë funksionin e saj. Ndërkaq, kujtojmë këtu se, rrugëtimi i hetuesve të BKH fillon me procesin e përzgjedhjes, gjatë së cilit përfshin teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
BKH është një i institucion i ri i dalë nga reforma në drejtësi dhe është pjesë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Aktualisht, BKH ka 28 hetues nga 60 që duhet të jenë në total. 28 hetuesit zhvilluan në Romë trajnimin intensiv dhe të specializuar nga DIA italiane për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Nga këto evidentojmë se plotësimi i BKH po ecën në ritme të shpejta, duke qenë e nxitur nga amerikanët.