Ngushtohet laku për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar. Ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe bërja funksionale e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka bërë që shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar të përfundojnë në pranga.
Por duket se të njëjtin fat si individët e botës së krimit do të kenë edhe pushtetarët që kanë abuzuar me fondet, pasuritë publike dhe taksat e qytetarëve shqiptarë. Paralajmërimin e ka dhënë dje drejtuesi i SPAK, Arben Kraja.
Ky i fundit, teksa ishte duke folur ditën e djeshme në konferencën me titull “Sfidat dhe mundësitë në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e integritetit”, zbuloi se organet e drejtësisë kanë shumë dosje për zyrtarët e lartë, ndërsa shtoi se shumë shpejt do të shihen rezultatet konkrete për zyrtarët që kanë abuzuar me fondet dhe shkelur ligjin. Sipas zotit Kraja, koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
“Këtë vit kemi pasur në disa raste edhe dënime për pastrim të produkteve të veprave penale, përfshirë dhe konfiskimet në vlera të konsiderueshme. Mendoj që është risi dhe përparësi që kemi vendosur. Ne jemi të vendosur për të ndaluar çdo pasuri kriminale, sepse është e paligjshme ta administrojnë dhe duhet të jetë e dënueshme. Kërkohet më shumë të kemi produkt në evidentimin e shkeljeve të fondeve publike.
Bëhet fjalë për zyrtarë të përfshirë në përdorimin e fondeve. Kjo është një përparësi e jona, e cila po vlerësohet çdo ditë dhe shpejt do të kemi rezultate konkrete që do i bëjmë publike. Ne kemi vullnetin e mirë për të punuar dhe vepruar. Jemi të bindur se po e bëjmë për të mirën e vendit sepse duhet bërë që të ikë imazhi i keq në kuptimin se nuk mund të investosh, sepse janë strukturat e korruptuara, se nuk gjendet një e drejtë, sepse aty janë institucionet e korruptuara dhe për këtë jemi të bindur se do ta bëjmë më të mirë”, deklaroi ai.
Korrupsioni dhe ndëshkimi i gjyqtarëve e prokurorëve
Por ndëshkimi i zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar nuk është i vetmi prioritet i Prokurorisë së Posaçme. Gjatë fjalës së tij, kreu i SPAK, Arben Kraja garantoi se institucioni që ai drejton është i vendosur për të çmontuar dhe çuara para drejtësisë të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar apo të përfshirë në krimin e organizuar. “Ajo që kemi konstatuar ka të bëjë me faktin e pandëshkueshmërisë.
Kjo ka ardhur nga mosfunksionimi i sistemit, prokurori, gjykatë që s’ka dhënë atë që duhet të jepte, dënimin e personave që shkelin ligjin. Po shohim çdo ditë gjyqtarë dhe prokurorë që përfshihen në veprimtari që shkelin ligjin. Në këtë sens, është një mekanizëm që duhet të funksionojë si një i tërë.
Ndëshkueshmëria e atyre që s’kanë ushtruar detyrën duhet të jetë një vijë ndarëse”, u shpreh ai. Më tej, zoti Kraja u shpreh qartë dhe prerë se lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit, sipas tij, është një nga prioritetet kryesore të SPAK. “Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore të shoqërisë tonë. Megjithatë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është një luftë shumë komplekse, përfshin shumë faktorë brenda dhe kërkon bashkëpunimin e shumë faktorëve”, nënvizoi Kraja. /Rigels Seliman