Nga Anri Bala
Një ngjarje e trishtë sot, padashur më ktheu pas në kohë, në një situatë aspak e zakontë televizive, kur një qytetar i ankohej në emisionin e mëngjesit të gazetarit Bashkim Hoxha, se një tufë qensh endacak, ishin kthyer në rrezik, për të dhe banorët e zonës përreth. Përgjigjia e sinqertë e drejtuesit të emisionit ishte, se bashki të ndryshme në vendit kishin ndërmarrë një aksion për të bërë të mundur vaksinimin dhe sterilizimin e tyre, por reagimi i qytetarit ishte i pa pritur dhe “skandaloz”, kur i u drejtua gazetarit : O Bashkiiiim nuk po na q*** por po na hanë!
Në atë moment shpërtheva në të qeshura, një zot e di se kur kam ndaluar… as që e mbaj mend të kem ndaluar! Por në të vërtet, masat e marra nga bashkitë e bën efektin e tyre, duke ulur ndjeshëm numrin dhe shkallën e tyre të rrezikut.
Në fakt, pjesa më e madhe e qenëve endacak, janë kryesisht kafshë të mjera dhe të uritura, që nuk sulmojnë kurrë për të kafshuar, e në pjesën më të madhe janë njerëzit ata që “u sulen” t’i godasin dhe dhunojnë, e si kafshë të drobitura dhe të gjora… largohen me vrap për tu fshehur. Ndaj, sa herë që i shikoni e ku të mundni, në vend që t’i rrihni, hidhini diçka për të ngrënë.
Problemi i vërtet në vendin tonë, nuk janë kafshët e mjera endacake të qytetit, por kafshët e rritura nëpër pallate… dhe në një kohë kur njerëzit po “hanë” çdo ditë njëri tjetrin… po bëhet edhe më e vështirë për të edukuar, vaksinuar dhe sterilizuar… pronarët e qenëve!
Sot, fatkeqësisht një qen i racës Pitbull, i mori jetën një njeriu, një qytetari që nuk ka këlysh për të rritur, por katër fëmijë. Po sot, edhe një tjetër qytetar u sulmua nga një Pastor, që për fatin e mirë, shpëtoi me një palë pantallona të grisura dhe disa plagë në këmbë. A e dini pse?! Sepse qentë e njerëzve… nuk janë njerëz!
Të vjen t’ua kërcasësh me grushte surratit, kur shikon disa nga këto të “shkundur” , që shëtisin qen sa një “elefant” dhe të qetësojnë me parullën: Mos ki frikë, se nuk të ha!
Po përse nuk thonë vallë: “Unë nuk të ha, sepse nuk jam qen”, por të japin siguri, se çfarë mendon qeni.
Një gjë nuk do mund ta kuptoj kurrë, se si është e mundur që këto qen të këtyre racave, rriten dhe edukohen ashtu si të zotët, me egërsinë kundër kujtdo?! Një përgjigjie për vete e kam: Edhe nëse këto qen janë rritur e mësuar me urtësi, përsëri mbeten qen dhe qen shqiptarë!
Ndaj, njerëzit duhet t’i venë gishtin kokës! Duajini kafshët o njerëz, jetoni me to, por mos na detyroni dhe ne të jetojmë me kafshët tuaja!
Ruajini kafshët, ashtu siç e ruan gjithë njerëzimi, por duke mos harruar kurrë, që janë kafshë dhe duhet t’i trajtoni si të tilla, edhe nga ana e sigurës për jetën e tyre… por edhe tonën. E nëse jetën tuaj nuk e doni, nuk keni si të doni atë të kafshës!
Ndaj është detyrim, që të merren masa! Sepse të humbësh jetën duke shëtitur në qejfin tënd, nga një qen i mërzitur, është vërtet e paimagjinueshme. Por këtu ndodh, sepse qentë janë shtuar shumë, sidomos ato me dy këmbë. Ndaj o shtet, mbrona duke i’u vënë gojëza qenve me katër këmbë, se këtyre me dy këmbë… kurrë nuk ke për t’ua vendosur!/Tellalli
Titulli i orgjinalit:Në këtë vend, ku njerëzit dhe qentë… shëtisin pa maska!