Në pritje të vendimit të Gjermanisë për negociatat, sot Shqipërinë do ta vizitojë deputeti i CSU në Bundestag Florian Hahn, njëkohësisht ai është edhe zëdhënës për BE dhe zgjerimin. Në Tiranë zyrtari gjerman do të ketë takime me Presidentin Meta, kryeministrin Rama, kryetarin e PD, Basha, kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryetarin e grupit të PS, Balla.
Pas pak ditësh Gjermania pritet që të marrë vendimin për hapjen e negociatave ose jo për Shqipërinë. Vizita e tij në Shqipëri, vjen pak ditë pas asaj të Ramës në Gjermani, ku takoi Angela Merkel dhe loboi që Berlini të japë dritën jeshile për negociatat. Gjermania, Franca dhe Holanda janë tre vendet skeptike që duhet të binden nga qeveria shqiptare deri në fund të qershorit.