Franca vendosi pjesërisht hapjen e kufijve me Shqipërinë. Këtë e ka bërë të ditur vetë Ambasada Franceze përmes një postimi në rrjete sociale.
Duke e konsideruar si zonë “e gjelbër”, kufizimet e udhëtimeve do të hiqen duke filluar nga data 24 qershor.
Drejt Francës do të udhëtojnë personat që kanë kryer një vaksinë të certifikuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).
Pra, qytetarët shqiptarë që kanë marrë vaksinën ruse ose kineze, nuk do të mund të udhëtojnë në Francë pasi nuk janë certifikuar nga EMA.
Gjithashtu, qytetarët duhet të paraqesin një tampon negative të bërë në më pak se 72 orë përpara udhëtimit.
“Shqipëria klasifikohet si një zonë “e gjelbër”. Që nga 24 qershori 2021, kufizimet shëndetësore të lëvizjes midis Francës dhe Shqipërisë janë hequr pjesërisht” – njofton ambasada.
Kujtojmë se Shqipëria është furnizuar me vaksinat Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac. Pedagogët dhe mësuesit janë vaksinuar me AstraZeneca, mjekët dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese kanë marrë dozën e Pfizer.
Ndërsa efektivët e policisë janë vaksinuar me vaksinën ruse. Një pjesë e madhe e qytetarëve kanë marrë dozat e vaksinës kineze dhe të AstraZeneca-s.