“Faleminderit juve dhe gruas suaj të shijshme”! Kjo frazë e thënë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Sydney, ka bërë që audienca e tij australiane të kruajë kokën.
Macron ndodhet në ishullin-kontinent në një udhëtim diplomatik, gjatë të cilit ka diskutuar tema si ndryshimet klimatike dhe mbrojtja. Sidoqoftë, anglishtja e pastër e tij e ka tradhtuar për një moment, ndërsa falenderonte kryeministrin Malcolm Turnbull.
“Faleminderit juve dhe gruas suaj të shijshme për mikpritjen dhe organizimin perfekt të këtij udhëtimi. Faleminderit juve dhe Lucyt, zoti kryeminister”, tha Macron.
Presidenti francez foli në anglisht dhe shumë nga ata që ndiqnin konferencën për shtyp nuk ishin të sigurtë nëse e kishin dëgjuar mirë apo jo. Regjistrimi i bisedës, shpejt konfirmoi se Macron i ishte referuar zonjës Lucy Turnbull, me termin “delicious” (e shijshme).
Sidoqoftë, nuk është ashtu siç duket. Fjala në frëngjisht është “délicieux” dhe mund të përdoret për të përshkruar një ushqim shumë të shijshëm. Por mund të përdoret edhe për t’iu referuar diçkaje shumë të mirë, shumë të pëlqyeshme, në kuptimin “e mrekullueshme”, raporton TCH.
Macron zgjodhi pra fjalën që ai donte, por jo kuptimin që ai donte. Anglishtja e presidentit francez mund të konsiderohet gjithsesi e shkëlqyer. Një javë më parë, ai iu drejtua Kongresit amerikan në Washington DC, në anglisht, dhe u lëvdua shumë në mediet sociale për elokuencën e tij.