Zgjidhja përfundimtare e kontestit rreth emrit me Greqinë mund të arrihet paralelisht me procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Në këtë proces edhe sovraniteti i shtetit do t’i kalonte Unionit Europian. Kështu shprehet kryeministri maqedonas Zoran Zaev.
Ai thotë se deri në zgjidhjen përfundimtare, dy vendet mund të arrijnë një marrëveshje të përkohshme, apo një kornizë për një emër me përcaktim gjeografik, pa prekur në çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.
Por, kjo sipas kreut të Qeverisë, duhet të konfirmohet në referendum nga qytetarët e Maqedonisë.
“Ndoshta zgjidhja përfundimtare do të jetë e lidhur me votimin e qytetarëve Maqedonisë, duke i dhënë sovranitetin tonë Bashkimit Evropian, ku dëshirojmë të anëtarësohemi dhe atëherë hapet edhe Kushtetuta.
Ndoshta këtu është zgjidhja, për shkak se siç e dini, Greqia kërkon edhe ndryshimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit kushtetues.
Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras mund t’i shtrijnë duart dhe të arrijnë marrëveshje, por institucionet janë ato, të cilat e nxjerrin qëndrimin përfundimtar, sikur edhe qytetarët e të dy vendeve”.
“Për këtë duhet të kujdesemi, duhet të jemi kreativë në gjetjen e zgjidhjes që do t’i kënaqë së paku nevojat minimale të dy vendeve”, deklaron Zaev duke mos fshehur optimizmin e tij.
Më në fund ky kontest prej më se dy dekadash do të gjejë zgjidhje, gjë që do të zhbllokohej procesi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Ai nuk beson se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të rrezikojë ndonjë shtet tjetër, e në veçanti Rusinë, e cila disa herë është shprehur me tone kërcënuese se Shkupi mund të jetë shënjestër e Moskës në rast të anëtarësimit në NATO.