Ka dy histori me Fahri Balliun para viteve 90′-të, në dy kohë të ndryshme. Herën e parë ai ka qenë në Elbasan dhe ka kërkuar të bëhet komunist, por shefi i atëhershëm i Degës së Punëve të Brendshme nuk dha “Okay-in” që Fahriu të pranohej në parti.
Më pas ka edhe një tentativë të dytë të Fahri Balliut për të hyrë në parti, atëherë Partia e Punës së Shqipërisë, partinë e diktatorit Enver Hoxha. Dihej se në atë kohë kishte marrëdhënie të ngushta me Hekuran Isain, por edhe njohje të afërta me Ramiz Alinë, por edhe nga tentativa e fundit afër viteve 90′-të, Fahri Balliu nuk u pranua në Partinë e Punës, pra nuk u partnua komunist. A thua se kishte njolla në biografi apo në një histori tjetër politike, jo aspak, por përkundrazi ishte njeri i përkëdhelur, ndiqte nga pas Ramiz Alinë dhe shkruante fjalët e tij.
Nga ana tjetër është nga ata që deri në vitin 1992 nuk u dorëzua, edhe në kohën kur shembeshin muret e komunizmit dhe “muri i Berlinit” binte në Shqipëri, Fahriu shkruante sesi duhet të ishin komunistët e rinj të Partisë së Punës dhe si duhet të ndryshonte kjo parti në “Zërin e Popullit”, që të mos lejonte të djathtët, pra demokratët, që në atë kohë ai i quante revanshistë që donin të rrëzonin sistemin.
Po pse nuk u pranua Fahriu në parti? Këto janë dy episode mjaft domethënëse, të cilat për ata që nuk i dinë mund t’u kujtojmë disa rregulla që ka pasur sistemi i atëhershëm, të cilat kanë qenë tepër kokëforta, rregulla të cilat zbatoheshin për gjithkënd, edhe për shërbëtorin më të paepur të partisë, siç ishte Fahri Balliu.
Në parti nuk pranoheshin ata persona të cilët kishin spiunuar apo kishin qenë bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit. Pra, komunistët kurrsesi nuk mund të ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, apo komunist nuk bëheshe dot në rast se ke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Janë të paktën dy tentativa të Fahri Balliut për tu bërë komunist. Nuk ia arriti. Pse? Kishte spiunuar ndokënd? Kishte qenë spiun i Sigurimit të Shtetit? Cila është arsyeja që Partia e Punës në atë kohë nuk e pranoi Fahriun, pasi degët e Punëve të Brendshme, edhe ajo e Tiranës, edhe ajo e Elbasanit, nuk jepnin “Okay-in” e tyre që Fahriu të hynte në parti?
Njolla në biografi nuk kishte, i afërt dhe mik i ngushtë me Hekuran Isain, mik edhe me Ramiz Alinë, Fahri Balliu nuk u pranua kurrë komunist.
Kishte qenë spiun i Sigurimit të Shtetit? Kjo është pyetja. Në fakt, shumë e akuzojnë si të tillë dhe i thonë edhe një pseudonim, dikush “këndezi” e dikush ndonjë pseudonim tjetër, por Fahri Balliu nuk e ka hapur ende dosjen e tij dhe si person publik duhet ta hapë me çdo kusht këtë dosje. Të gjithë duhet ta lexojmë se cila është historia e botuesit të gazetës “55”, babait shpirtëror të Lulzim Bashës, për të kuptuar sa të vërtetë janë këto njerëz, por edhe për të mos harruar historinë nga vijnë dhe ku shkojnë.
Por ëndrra e Fahri Balliut u bë më pas realitet. Pra ai u bë spiun zyrtarisht, por më vonë, pasi erdhi demokracia. Herën e parë tentoi të bëhej komunist, por nuk e qasnin sepse ndoshta kishte qenë spiun. Herën e dytë u bë vërtet spiun. Ai ka qenë pjesë e strukturave të Sigurimit, por pas viteve 90′-të.
Kjo do t’i përkasë një tjetër shkrimi nga ana jonë.(CNA.al)