Gloria Aura Bortolini është gazetare italiane. Ajo ka një emision të sajin në kanalin televiziv RAI 3 në Itali ku drejton një program me titull “Kilimanxharo”. Fokusi i këtij programi janë udhëtimet. Në fillim të këtij viti, Bortolini e klasifikoi Shqipërinë në vendin e parë, si një destinacion që duhet të vizitohet për vitin 2018.
Në reportazhin e publikuar në RAi 3, u renditën disa statistika ku tregojnë vendet ku italianët kanë regjistruar më shumë prenotime. Tre muaj më vonë, pas këtij lajmi që bëri xhiron e portaleve shqiptare, Bortolini ka ardhur në Shqipëri për të parë nga afër këtë vend dhe ka dhënë një intervistë për gazetaren e DITA-s, Entela Resuli.
“Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Nuk kisha krijuar një perceptim pozitiv për këtë vend, duke patur parasysh se nuk ka një “nam” të mirë dhe kisha nguruar ta vizitoja. Vitin e kaluar ishin prindërit e mi ata që erdhën për disa ditë këtu dhe kur u kthyen në Itali, me thanë: Gloria, ishte super vend. Duhet të shkosh!
Pas reportazhit në programin “Kilimanxharo” në RAI 3, ku Shqipëria u rendit si destinacioni numër NJË që duhet patjetër të vizitohet gjatë vitit 2018, ishte Zamo, Presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting i cili gjithashtu më sugjeroi që të vija dhe të shihja nga afër bukurit e këtij vendi. Përfitova nga momenti që kisha katër ditë pushim në këtë periudhë dhe erdha”, tregon Gloria.
“Në Itali është ai perceptimi që Shqipëria është një vend i varfër, i rrezikshëm, me rrugë të vështira, por kur vjen këtu përballesh me një surprizë pozitive. Çdo gjë është ndryshe dhe nuk ka asgjë të ngjashme më atë që ke dëgjuar”, shprehet Gloria, e cila ka udhëtuar jo pak në karrierën e saj.
“Jam ndier shumë mirë këtu. Një gjë tjetër që e konsideroi si vlerë në vendin tuaj është mikpritja. Mund të shkosh në vendin më të bukur të botës, por po nuk të trajtuan mirë, po nuk të mikpritën atëherë, nuk ka se si të lërë shije të mirë vizita. Ju të hapni dyert dhe zemrën, ndaj këtu çdo gjë duket e bukur dhe e dashur. Unë do të largohem sot (dje) pasdite dhe mezi pres të kthehem sërish në tetor…”
-Dhe pas disa ditësh qëndrimi në Shqipëri, ke vizituar, Tiranën, Vlorën, Beratin…ke diçka për të na thënë?
“Keni një super vend, më besoni! Ndërsa ne italianët, Shqipërinë e kemi shumë afër shtëpisë dhe duhet ta frekuentojmë më tepër. Më pëlqen bashkëjetesa mes religjioneve dhe ajo mes historisë dhe modernitetit. Është vlerë që në një territor kaq të vogël i keni të gjitha, detin dhe malin, ndryshimet klimaterike dhe shumëllojshmërinë e kulinarisë. Gatuani në mënyrë fantastike prodhimet e detit dhe keni marrëdhënie shumë të mirë me mishin”.
-Gloria, një ndalesë e keni patur edhe në qytetin e Vlorës, çfarë pe në atë qytet?
“Vlora ishte fantastike. Është bukur të shohësh se si ndryshon një vend pasi Vlora është shembulli i një transformimi të shpejt dhe modeli i një qyteti të jetueshëm.
Rikonstruktimi i qendrës historike, krijimi i hapësirave pedonale i japin një vlerë të rëndësishme qytetit, gjë kjo që po humbet në vendet e tjera ku ka një zhvillim të adaptuar nga një model amerikan, ku çdo gjë është e përqendruar të qendrat tregtare dhe qendrat historike janë duke “vdekur”.
Ndërsa në vendin tuaj shoh një model ndryshe në kulturë dhe në stil jete, afërsisht si ai italian. Shqipëria është një vend i veçantë dhe i tillë duhet të mbes, nëse do të tentoni të konkurroni vendet me turizëm luksoz, ndoshta do të gaboni. Përqendrohuni te vlerat tuaja, historike dhe kulturore, te bukurit natyrore dhe keni për të qenë destinacion shumë i lakmuar për turistët në të ardhmen”.
“Po, vizitova qytetin, ishullin e Sazanit, Karaburunit…Në një moment i thashë vetes: dua të jetoj këtu! Kryetari i Bashkisë së Vlorës ishte një njeri i cili ishte i dashuruar me qytetin e tij dhe po bënte diçka që po e ndryshonte atë vend. Faktet e tregonin këtë, Vlora kishte ndryshuar”.
-Megjithatë, na thuaj diçka që nuk të ka pëlqyer, se nuk besoj se jemi kaq perfektë?
“Nuk ka diçka që nuk më pëlqeu. Shpresoj shumë që të përfitoni nga mundësitë që keni si vend. Për shembull, pashë që kalaja e Beratit ishte bosh, pa aktivitete. Aty mund të organizohen projekte të ndryshme të cilat e ndihmojnë këtë qytet në thithjen e turistëve. Që të huajt mos të vijnë të shohin vetëm kalanë, por edhe të vizitojnë një galeri, të shohin një film, të ketë më shumë art, festivale dhe aktivitete. Një event mund të kthehet në një justifikim që të shkosh në një vend dhe ta njohësh më tepër atë”.
-Ke vizituar tre qytete, tani jemi në Tiranë, çfarë të pëlqeu më shumë nga ky qytet?
“Tirana më duket një qytet i pastër, i ri… Më duket sikur jam në Zvicër dhe jo në kryeqytetin shqiptar. Më pëlqen shumë këtu. Ka gjallëri si qytet…”
Po në Vlorë?
“Në Vlorë më pëlqeu shumë Lungomare. Qyteti kishte pësuar një ndryshim shumë të madh me ndërtimin e saj dhe kryebashkiaku Dritan Leli ishte shumë entuziast për këtë fillim sezoni veror. Ndërkohë Sazani dhe Karaburuni ishin fantastikë…”
Në Berat?
“Kanionet. Kur u futa për të bërë rafting m’u duk sikur u largova në një botë tjetër. Kishte një natyrë të pabesueshme dhe përjetova një aventurë të bukur. Më pas Berati vetë është i magjishëm. Rrugicat me kalldrëm, shtëpitë e bardha, historia e atij qyteti…“
-Pjata më e mirë që konsumove?
“Mes mishit dhe peshkut, unë preferoj peshkun dhe në Vlorë konsumova një drekë shumë të mirë. Habitem se sa mirë i gatuani pastat, jeni shumë të mirë në këtë pikë”.
– Kemi mësuar nga ju…
“Dhe e keni bërë në mënyrë të përkryer”.
-Kur vjen si turiste dhe rri pak ditë, çdo gjë e bukur të duket, por nëse vendos të jetosh këtu, atëherë jeta nuk është kaq me ngjyra sa e përshkruani ju..
“E di, por kjo është normale. Edhe Italia kështu mund t’i duket shumë turistëve, por edhe atje ka shumë probleme. Nuk po them që këtu është parajsë, por është një vend me mundësi, sidomos përsa i përket turizmit. Jeni ende në tranzicion dhe nëse ndryshon diçka në këtë vend, bie në sy. Ju duhet të shfrytëzoni mundësitë që ju jep terreni i vendit tuaj, natyra dhe pasuritë e mëdha që keni… Mos shkatërroni, por ndërtoni”.