Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin që lidhet me mosdekretimin e Gent Cakaj në krye të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Vendimi në fjalë lidhet me mosmarreveshjen institucionale mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Kushtetuesja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën e kryeministrit, ndërsa ka pushuar gjykimin për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Në vendim, Gjykata thekson se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve, kryeministrit, presidentit dhe Kuvendit.
Sipas GJK, të tre këto institucione kanë kompetenca në procesin e emërimit dhe të shkarkimit të ministrave, por duke respektuar afatet dhe balancën mes pushteteve (check and balance).
“Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon: Në procedurën e emërimit dhe të shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe ai i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tri organeve të mësipërme.
Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër bëhet nga të tria organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Ndërkaq theksohet se kryeministri ka rol parësor në formimin e qeverisë në fillim të mandatit qeverisës dhe ka përgjegjësi politike kundrejt Kuvendit, dhe ky rol i tij mbështetet edhe nga jurisprudenca e Gjykatës.
“Kryeministri ka rol parësor në formimin e qeverisë në fillim të mandatit qeverisës dhe ka përgjegjësi politike kundrejt Kuvendit, përgjegjësi e cila është e lidhur ngushtë me veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Ky rol i rëndësishëm i Kryeministrit mbështetet edhe nga jurisprudenca e Gjykatës, e cila, në vështrim të neneve 95, 96, 97, 100 dhe 102 të Kushtetutës, ka pohuar se Kryeministri i emëruar nga Presidenti ka detyrimin që brenda 10 ditëve të paraqesë për miratim programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, përfshirë edhe Kryeministrin, i nënshtrohen kontrollit parlamentar, si kusht për dhënien e besimit politik (shih vendimin nr. 28, datë 21.02.2002 të Gjykatës Kushtetuese)”, thuhet më tej.