Hekurudha e re Tiranë-Durrës, që do të ketë një degë të re për lidhjen me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, planifikohet të jetë gati në vitin 2021.
Lajmin bëhet i ditur nga zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli i cili të mërkurën foli për disa prej projekteve madhore infrastrukturore që do të prekin Tiranën.
“Projekti ka përfunduar, është hapur tenderi, i cili do të përcaktojë edhe firmën që do të realizojë këtë hekurudhë. Bëhet fjalë për hekurudhën Tiranë-Durrës, hekurudha e parë e ndërtuar në vend dhe e para që do të vijë në standardet e reja.”
Hekurudha do të ketë edhe një degëzim për në Aeroportin e Rinasit që nuk ka ekzistuar më parë.
“Mendohet që Tiranë-Rinas të mos kalojë 13-14 minuta me lidhjen e re.
Risia që doja t’ju thosha është se do të ndërtohet edhe Stacioni Intermodal, pak a shumë pranë spitalit Hygea, i cili do të funksionojë edhe si një stacion hekurudhor në rang Shqipërie edhe për linjat që do të lidhen me Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe Greqinë. Do të jetë edhe një stacion për autobusët që do të shpërndahen në të gjithë Shqipërinë”, tha Shkreli.
Ai shtoi se gjurma e stacionit hekurudhor do të rikthehet në qendër të Tiranës, në Bulevardin e Ri, ku do të ngihet një terminal pasagjerësh.
“Besoj që shumë shpejt ne do të shikojmë frytet e këtyre planeve, ndërsa në qershor të vitit 2021 të fillojë funksionimi i hekurudhës së re shqiptare”, tha Shkreli.