Avokat Spartak Ngjela komentoi situatën politike në vend sidomos atë brenda Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të trinomit Berisha-Basha-Rama.
Teksa ditën e djeshme ishte i ftuar në një studio televizive, avokat Ngjela deklaroi se në PD dhe në PS nuk ka garë dhe zgjedhje për kryetar, pasi sipas tij, ato kanë shmangur Kongresin. Madje, zoti Ngjela theksoi se si Rama dhe Basha e përjashtuan kongresin për zgjedhjen e kryetarit, pasi aty do të humbin, se nuk i kontrollon dot, ndërsa u shpreh se PD nuk ekziston si parti.
“Ku ka Parti Demokratike. Partia është e Saliut. Ajo është pronë individuale e tij, si partia e Enver Hoxhës, vetëm se ai eliminonte me vrasje me armë, ky i eliminon me mënyra të tjera. Cilat parti aman”, deklaroi ai. Më tej, avokat Ngjela theksoi se Basha është i kapur nga Berisha, ndërsa shtoi se deklaratat e tij se një herë i fitoi zgjedhjet dhe më pasi ia vodhën, tregon se ai nuk është një burrë shteti. Sipas tij, Berishën e presin ditë të vështira.
“Çfarë tregoi me këtë qëndrim, se nuk është burrë shteti? Nuk jep dorëheqjen. Ai është më procese penale në SHBA. Ai (Berisha) i ka hipur trenit të skëterrës nuk e shikon që po shkon atje. Berisha është padroni i tij, është shpallur “non grata”. Ku do të shkojë? Ku do të vejë?
Ai nuk ka sistemin e mbrojtjes të nenit 2, pikës dy të Dekriminalizimit që e kanë miratuar vetë dhe nuk e lejon atë jetë në Parlament. Reforma në drejtësi i kap ata. Basha nuk shkëputet nga Berisha, ai e ka emëruar atë. Po i qëndrojmë mendimin tim se është pronë e Berishës.
Po të ishte si Andreotti edhe shkëputej, ku ka potencë Basha ziu të shkëputet. Ai është mediokër, nuk ka vlerën e një burri shteti, të bëjë intriga në kuptimin politik, të marrë dhe të udhëheqë ca njerëz. Është në ngërç në marrëdhënie me Amerikën, e ke provën ambasadorja amerikane nuk e takoi atë, por kandidatët, ky ishte mesazhi”, nënvizoi Ngjela.