Oerd Bylykbashi ka reaguar pas verifikimit të kryebashkiakut të Mallkaastrës, që rezultoi se ka qenë i dënuar në Greqi.
Bylykbashi merr autorësinë e ligjit të dekriminalizimit, duke u mburrur për të, ndërkohë që thumbon edhe Lulzim Bashën, ndërsa shkruan se ligjet dhe jeta parlamanetare funksionojnë dhe se vetëm në Parlament mund të mundet Edi Rama.
“Ligji i Dekriminalizimit funksionon si sahat! Një tjetër kryebashkiak i dënuar me burgim u zbulua falë tij, duhet të largohet nga funksioni publik dhe duhet dënuar për falsifikim.
6 vite më parë kur hartoja ligjin e Dekriminalizimit më duhej të përballesha jo vetëm me socialistët që pengonin hartimin e tij, por edhe me ata skeptikë brenda nesh që deklaronin se Dekriminalizimi nuk bëhet me ligj por vetëm me retorikë politike, apo se ishte thjesht një ligj që nuk do të funksiononte. Ja ku është!
Po të mos ishte ky ligj sot, me mekanizmin e tij të pamëshirshëm e të ftohtë, nuk do të numëroheshin e mbaheshin mend deklaratat nga foltorja e PD-së kundër deputetëve e kryebashkiakëve të Ramës me dënime për vrasje, rrëmbime, përdhunime, trafiqe e krime të tjera dhe ata ende do të ishin në Parlament e bashki. Pa këtë ligj, Rama do vazhdonte të mbronte skotën e kriminelëve të tij siç mbronte dikur Rroshin.
Rama e urren këtë ligj ndaj e quan antikushtetues. Kam qenë i ndërgjegjshëm kur e hartoja se është ligji më i ashpër i llojit të vet në Europë, por këtu e çoi vendin Rama, tek qeverisje me kriminelë. Tashmë duhet të shtojmë mekanizma që pengojnë kriminelët të fusin fëmijët dhe ushtarët e tyre si përfaqësues të interesave të tyre në institucionet demokratike.
Parlamenti është shtegu më i vështirë për të ecur për një Opozitë në një regjim që maskohet me votime, sepse asaj i duhet të provojë çdo ditë që nuk është fasadë. Por ligji i Dekriminalizimit është prova e fuqisë së një opozite parlamentare që betejat i fiton me moral dhe kauzë të drejtë duke bindur shqiptarët. Ai është prova se Parlamenti, ku na mandatoi për t’i përfaqësuar gjysma e lirë e shqiptarëve, plot 730 mijë njerëz të lirë, është arma më e fuqishme që kemi në betejën për të rrëzuar regjimin e Ramës”, shkruan ai.
Por kjo mburrja e Bylykbashit është qesharake dhe idiote, pasi ligji që thotë se e ka bërë ai, është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Marrim rastin e fundit të kryebashkiakut të Mallakastrës, për të cilin Bylykbashi mburret, a thua ka zbuluar një kriminel të rrezikshëm.
Kryebashkiaku i Mallakastrës qenka dënuar në Greqi, pasi një zënke me pronarin e tij, që nuk e paguante.
Vetëm për kaq, grekët e kanë dënuar atë me tre vjet burg.
Dhe për një zënkë për “bukën e gojës”, sipas ligjit qesharak të Bylykbashit, ai tani duhet të përjashtohet nga politika.
Dhe fjala vjen, në politikë duhet të rrijë Sali Berisha, që ka mbi kurriz jo vetëm të vdekurit e Gërdecit e 21 janarit, por dhe mijëra të tjerë që vdiqën gjatë dhe pas trazirave te 21 janarit.
Apo edhe Lulzim Basha, Fatmir Mediu etj, që kanë vjedhur e kanë vrarë, por i kanë shpëtuar dënimit me procedurë.
Nëse do të bënite një ligj, që të largonte nga politika kokat e korrupsionit dhe krimit, ndoshta ky gëzimi i Bylykbashit do të ishte legjitim.
Por jo të mburret se ka goditur një fakir që është zënë me pronarin, pse nuk e paguante.
Se dhe vetë Bylykbashi, edhe pse e konsiderojnë “çun mamaje”, po të ishte në ato kushte, do të ishte zënë për të marrë lekët që i takonin.