Nga Bledi Mane
Dy nga trevat më unike të Shqipërisë pavarësisht se janë në ekstremet gjeografike, kanë aq shumë të përbashkëta sa nuk i ndan dot nga njëra-tjetra.
Tepelena dhe Tropoja puqen sëbashku me natyrën dhe historinë e egër, kanune lekdukagjinase dhe kanun labërie, nacionalizmin dhe atdhedashurinë e thekur, folklorin unik e të papërsëritshëm, kulinarinë dhe rakinë e dobët, poetët me dell të tepruar emotiv dhe më kulminantja, zaptimin e kryeqytetit.
Njëra palë përlau prona e nuk u kujdes për trashëgiminë, tjetra përlarjen e kopsiti mirë me letra e me dokumente.
Interesante duket edhe kryeneçësia e të dyja zonave kundër pushtimit osman shekuj me radhë dhe po të dyja këto zona i thurrën lavde si askush më tepër regjimit komunist të Enver Hoxhës, herë me çifteli, herë me lahuta e herë me iso labe derisa një ditë u ndanë politikisht.
Tepelena i mbeti besnike “të majtës”, Tropoja “së djathtës” hipokritisht por në embrion janë aq të njëjta sa këtë e tregojnë më së miri krushqitë që bëjnë pa fund.
Krushqi interesante më është dukur edhe bashkëjetesa politike e 31 viteve të fundit të Sali Berishës me Gramoz Ruçin derisa një ditë dhëndëri tepelens u tregua vërtetë burrë dhe mori përsipër mëkatet dhe fatet e së djeshmes.
Iku duke u lenë rrugë e hapësirë të lirë dhëndurëve të rinj, ndërsa nusja tropojane, si shtriga në përrallën e Borëbardhës me mollën e helmuar në duar endet skutave të provincializmit politik me shpresën se do helmojë të tjerë por me mëkatet e saj thjesht ngordh veten çdo ditë e më shumë në sytë tanë…