Kompania “Neptun”, e cila pretendon të jetë lider në treg për shitjen me pakicë të produkteve elektronike apo elektroshtëpiake, nuk është gjë tjetër veçse lider në vjedhjen e klientëve të saj.
“Neptun”, pjesë e “Balfin Group”, me bindje mund të themi, se është rast unikal në botë, i një kompanie që mashtron klientët me produktet e saj difektoze apo të prishura, me një skemë të vërtetë mashtrimi, e cila duhet të denoncohet patjetër dhe Agjencia e Mbrojties së Konsumatorit duhet të veproj urgjentisht.
Denoncimi vjen nga një qytetar, i cili u ndje i fyer se si kompania në fjalë e mashtroi dhe i vodhi paratë e garancisë duke i shitur një produkt të pridhur, siç e quan ai.
Pretendimi i qytetarit: “Përshëndetje ekskluzive.al. para pak kohësh u gjenda në Neptun tek qendra “TEG”, për të blerë një televizor për ambjentet e zyrës ku punoj. Duke qenë se televizori më duhej për zyrë, nuk doja të blija një të shtrenjtë ndaj zgjodha një model “Fuego” android, me vlerë 32 mijë lekë.
Ajo që më bëri përshtypje kur porosita televizorin, ishte kërkesa e djalit që po merrej me shitjen e tij. Duke më shpjeguar funksionalitetet, edhe pasi ramë dakort për ta blerë, insistoi disa herë të bëja një garanci shtesë për produktin, duke qenë se këto modele e kishin afatin e garancisë jo më shumë se 1 vit.
Shitësi nguli këmbë disa herë të paguaja garancinë shtesë të produktit meqenëse unë dëshiroja ta përdorja për zyrë dhe më bindi pasi mendova se diçka dinte e nuk po më thoshte kot. Në fakt këshillën e tij e mora me mirëbesim, e si duket nga reagimi do e kishte nga eksperienca të mëparshme.
Djali më sqaroi, se garancia shtesë që kushtonte 4 mijë lekë, përfshinte +2 vite garanci dhe nëse televizori nuk më pëlqente ose plotësonte pritshmëritë e mia mund ta ktheja brenda muajit. Djali bën testin ndez televizorin pretendon se është në rregull, e fik atë e ripaketon, paguaj shumën totale prej 36 mijë lekësh dhe u largova.
Pasi vendos televizorin në zyrë, nuk zgjati shumë dhe ekrani nisi të krijonte një vizë në mes të tij, e cila shfaqej dhe ikte, këtë e bënte herë pas here, ditë pas dite, duke e shtuar kohën e shfaqjes së saj.
Pas 3 ditësh kthehem në Neptun bashkë me televizorin për të raportuar difektin, në mënyrë që të merrja një televizor tjetër, jo të prishur. Përfaqësuesi i kompanisë në arkën e kthimeve më tha se unë produktin mund ta ndrroja, por garancia e paguar prej 4 mijë lekësh binte dhe unë duhet të paguaja sërish 4 mijë lekë të tjera për të siguruar produktin e radhës.
Djali që bëri shitjen, nuk e sqaroi aspak këtë pjesë, sepse nuk ka asnjë vlerë garancia për sa kohë unë blej produkte të prishura. I bie të paguaj me para çdoherë një produkt që nuk të ofron garanci që funksionon. Kjo është absurde, sepse garancinë duhet të ofroj kompania që unë blej.
Aty nisi debati, pasi mua më dukej absurde se si një kompani që e mban veten lider të tregëtimit dhe jo të mashtrimit, t’i kërkoj një klienti pas 3 ditësh që ka blerë një produkt difektoz ose të prishur, sërish para të tjera, ndërkohë që duhet t’i kërkoj disa herë ndjesë, që i ka shitur një produkt difektoz.
Si mund t’i kërkosh 4 mijë lekë të tjera një klienti që të ka paguar një herë për garanci dhe ti i shite një produkt difektoz? Si e garanton ti klientin që nuk do të humb edhe 4 mijë lekëshin e radhës me një produkt tjetër difektoz, kur ai i pari që i shite nuk bëri as 3 ditë në prizë?
Nuk pranova të paguaj sërish 4 mijë lekë, sepse nuk kisha garanci që televizori tjetër që do të merrja do funksiononte në rregull, duke qenë se më vonë mora vesh se këto televizor ishin vërtetë difektoz. Por kompania e kishte të garantuar shitjen e tyre, vetëm duke marrë garancinë, që ishte 1/8 e vlerës së produktit në shitje dhe shumë e mundshme 1/4 e kostos së blerjes nga kompania. Duke qarkulluar televizor të prishur, sa njëri klient në tjetrin e duke siguruar garancinë, kompania thuajse i merr paratë e pajisjes.
Praktikisht kjo kompani mashtruese, është lider në vjedhjen e klientëve të saj, duke u shitur atyre produkte të kthyera, difektoz, ose në rastin më të keq të prishur, por duke u marrë lekët e garancisë.
Skema e përdorur nga Neptun duke ulur vitet e garancisë televizorëve difektoz dhe duke i kërkuar garanci shtesë klientit për një produkt që nuk vlen asnjë kacidhe, është skemë zhvatje dhe mashtrimi.
Si përfundim, kompania nuk pranoi të më quante garancinë për produktin e ri që do më ofronin në vend të atij të prishur, por më sygjeruan të shtoja dhe disa para për të marrë një televizor tjetër me më shumë vite garanci, pra nuk ofroi asgjë veç vjedhjes.
Në çdo vend të botës, një kompani serioze do e kthente menjëherë pajisjen e saj të prishur dhe do ti kërkonte ndjesë klientit, por me Neptun nuk ndodh, pasi kompania nuk punon për të shitur televizor, por për të grabitur klientët me pajisje të prishura që nuk vlejnë asnjë qindarkë.”, shkruan denoncuesi për redaksinë e ekskluzive.al.
Ju lutem kini kujdes kur blini produktet tek Neptun. Mos u gënjeni nga garancia shtesë, sepse kthimi i produktit të skaduar nuk është falas por ka vlerë të paktën 1/8 e produktit që po blini./Ekskluzive.al