Sot ndodhi atentati më i rëndë në qytetin e Vlorës, Flamurtari ra për herë të Parë në Kategorinë e Dytë….Nuk ka më keq për Vlorën, pa thënë për Vasil Rucin, Kreshnik Çipin, Rrapo Tahon, Lato Gjondedën, Sokol Kushtën, tani edhe shpirtrat e Petro Rucit e Alfred Zijajit nuk do të gjejnë rehat…
Mos ja thoni as Mexhit Haxhiut…As brezave që me gjakun dhe djersën e tyre gdhendën emrin e Flamurtarit me gërma të arta në Europë e kudo ka psur e ka vlonjatë në Botë!
Kurrë nuk e mendonin ata dhe as më i vogli në Vlorë se Flamurtari do të shkonte në Kategorinë e Dytë dhe do të degdisej deri në këtë farë feje, sa të vërë në dukje edhe ekzistencën si emër, edhe pse ka bërë histori në futbollin shqiptar duke i dhënë leksion edhe Partizanit të Beogradit apo Barcelonës së Zubizaretës!
Vlora sot është në vaj, ndoshta duket e ekzagjeruar që të themi që paska qenë qyteti që paska lindur për të vuajtur. Flamurtari ra, ndërsa duket se edhe dallgët e Sazanit e Karaburunit kanë heshtur, tani që sapo ka nisur sezoni turistik në atë qytet ku si për dreq të bën karshillëk edhe tempulli i vlonjatëve, stadiumi “Flamurtari”, aty ku ka shkrujatur historinë në futboll, Vlora dhe Shqipëria!
Qyteti që ngriti Flamurin, tashmë e ka ulur në gjysmështizë, sepse krenaria më e madhe e qytetit të tyre apo e krahinës së Labërisë sot shkoi aty ku nuk e mendonte askush, e është për turp ta thuash në Vlorë… Flamurtari i Madh që ka mbajtur me futbollistë edhe Fierin, Patosin, Ballshin, apo ka mbushur ekipet Kombëtare, Shpresën e deri Kombëtaren që deri dje shiritin e kapitenit ja besonte vlonjatit Memushaj, sot preku fundin…!
Por, padyshim që ky është një “atentat i paralajmëruar” në Vlorë dhe “meritë” që e la Flamurtarin të shkojë në këtë fund me dhimbje të madhe krahas atyre që kanë pasur në dorë fatet e skuadrës dhe nuk arritën ë të ndërhyjnë kurrë, natyrisht që ka edhe Federata Shqiptare e Futbollit… Që po lë klubet shqiptare të bëjnë vetëvrasje… Me bekimin e FSHF-së, ashtu siç po shkon keq e më keq Elbasani, ashtu siç Luftëtari shkoi në të Tretën sepse falimentoi, duket se edhe Flamurtari ka të njëjtën rrugë.
Sepse Federata nuk duhet ta lërë që situata të shkojë në një pikë pa kthim për klubet tona, të bëjnë merkato edhe pse kanë një mal me gjyqe të humbura, sepse sezonin tjetër mund të kemi ndonjë tjetër viktimë falimenti…
Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçëse të ndjekim Kategorinë e Dytë, sepse u bë më shumë se një dekadë që historia e futbollit shqiptar luan në Inferiore…E provuan Partizani, Dinamo, Besa, Tirana e Vllaznia, ndërsa më keq akoma në të Dytën, është Flamurtari, Luftëtari, Elbasani e Albpetroli, që ndoshta kanë më shumë histori se gjysma e skuadrave të elites, apo të Superiores së famshme që na e mburr me karshillëk FSHF-ja…!
Erjon Saliu/Vipsport.al/