Mediat tradicionale dhe ato sociale, gëluan pasditen e 6 qershorit me një lajm të trishtë jo vetëm për botën e artit, por të hidhur për gjithë shqiptarët: Ai i ndarjes nga jeta të aktorit dhe Artistit të Merituar, Mirush Kabashi, në moshën 73-vjeçare.
Lajmi u përhap aq shpejt gjithkund, sa askush nuk po e ndante dot në ishte një lajm i vërtetë apo i rremë.
Këtë herë, fatmirësisht për aktorin dhe dashamirësit e tij por fatkeqësisht për median, lajmi ishte krejtësisht i pavërtetë.
Në këtë valë “fake news-i”, u përfshinë edhe media nga Kosova, të cilat vërshuan të japin lajmin e hidhur.
Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që një ngjarje e tillë ndodh, as në Shqipëri, as në Kosovë e aq më pak në botë.
Ne po ju sjellim një poezi të interpretuar nga aktori i dashur
I madhi Mirush Kabashi përmes vargjeve të një poezie të Çajupit ka përcjellë një mesazh në formë apeli për politikën shqiptare në këto kohë krize.
I pranishëm në një aktivitet në kuadër të muajit të Ramazanit, ai u shpreh se shoqërisë sonë i mungon besimi dhe kjo e ka bërë shoqërinë që të harrojnë vlerat shpirtërore.
Aktori theksoi se nuk është ligji, por morali ai që e mban shoqërinë dhe ligji është për raste ekstreme.
“Politikanët tanë fshihen duke treguar unitetin e fesë por janë të parët janë që nuk e zbatojnë dhe kanë zgjedhur konfliktualitetin” tha ai, ndërsa më pas recitoi vargjet e Çajupit.
Poezia e Andon Zako Çajupit që recitoi Mirush Kabashi
Dëshirë e Skënderbeut
Sa rrojta, s’u turpëruam:
të gjithë bashkë luftuam,
vendin ton’ e nderuam,
se nga turqit e shpëtuam.
Po tani u afrua
ditë e fundit dhe për mua.
Gjithë këtë ditë presim,
kemi ler’e do të vdesim;
njeri përjetë s’ka mbetur,
dhe të gjith’i ka tretur;
po lum kush është përpjekur
dhe për atdhenë ka vdekur.
Ndaj desha, sa jam dhe gjallë,
t’ju mbledh, t’ju them këto fjalë:
o vëllezër shqiptarë,
ju lutem të bëni mbarë,
gjithë bashkë e të pandarë.
Mysliman’e të krishterë
Perëndia na ka bërë,
jemi vëllezër të tërë.
Zoti kur bëni insanë
me një fytyrë të naltë,
të krishter’e myslimanë
i gatoi nga një baltë.
Zoti me të madh të vetë
është një dhe i vërtetë,
si këtu dhe n’atë jetë.
Si Ungjilli dhe Kurani,
mos e ndani Perëndinë;
shoku shokun mos e hani,
si punojnë ata që s’dinë;
besa është e gjithësisë,
ne jemi të Shqipërisë,
se kemi pirë një sisë.
Për Perëndi që besoni,
Shqipërinë mos e harroni,
pra faluni si të doni…
Faluni te Perëndia
të shpëtojë Shqipëria
nga e ndyra robëria.
Tani ta shpëtoni vetë,
se unë nuk kam jetë,
vete te Zoti i vërtetë.
Do t’i lutem duke qarë
të jetë me shqiptarë
dhe t’u japë dashurinë
të nderoni Shqipërinë.