Qyteti i Vlorës ka kaluar një natë aspak të qetë si shkak i dy shpërthimeve të njëpasnjëshme me eksploziv.
Rreth orës 2 të mëngjesit një sasi e madhe eksplozivi ka shpërthyer në portën e jashtme të një banese në lagjen “Osman Haxhiu”.
Shpërthimi ka qenë tejet i fortë, duke dëmtuar edhe dy katet e para të pallatit. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe ka marrë në pyetje të riun që banonte në banesën të cilës iu vu eksploziv, por ai është shprehur se nuk kishte konflikte.
Ndërsa mamaja e të riut është dërguar në spital si pasojë e tronditjes që ka marrë.
Mirëpo, pak minuta pas këtij shpërthimi është dëgjuar një tjetër shpërthim në një banesë pranë godinës së Bashkisë Vlorë.
Fatmirësisht nuk ka të vdekur nga dy shpërthimet e natës që lamë pas dhe gjatë ditës pritet të zbardhen shkaqet e vënies së këtyre eksplozivëve.