Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, në Shqipëri numërohen mbi 180 mijë punëkërkues të papunë, e megjithatë në kryeqendrën e saj, në Tiranë shumë pak protestuan.
Organizata Politike ishte e vetmja organizatë që zhvilloi dy aktivitete simbolike.
Protesta e parë nisi në orën 9:00 të mëngjesit përpara Ministrisë së Energjetikës, për të denoncuar fenomenin e vdekjeve të minatorëve në miniera.
Protesta e dytë, po nga kjo Organizatë u shpërngul në sheshin Garibaldi, në zonën e Kombinatit, një zonë simbol e punëtorëve, për të kërkuar të drejtat e mohuara në punë, nga punëtorët e fasonerive.
Megjithëse pati një tentativë për t’ju bashkuar protestës nga qytetarët dhe punëtorët, pjesëmarrja në këtë protestë ishte e vogël.
Edhe këtë 1 maj, pjesa më e madhe e njerëzve zgjodhi të pushojë në Liqenin e Tiranës, apo në lëndinat e Pezës dhe nuk doli të protestojë me të drejtë kundër oligarkëve dhe pronarëve shfrytëzues dhe parazitar që pasurohen në kurriz të punëtorëve.
Organizata Politike shprehet se nuk do të ndalet këtu, por do të vazhdojë të organizojë masat dhe t’i vetëdijësojë për të drejtat e tyre të shkelura.
Shihemi sërish në protesta të tjera.