SPAK kërkoi tre javë më parë rinisjen e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për shpërthimin gjatë demontimit të municioneve në Gërdec, e njohur si tragjedia e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona, mes tyre gra e fëmijë të mitur dhe u plagosën qindra të tjerë, e një fshat thuajse u zhduk nga harta. Dosja “Gërdeci” do të shqyrtohet nga tre gjyqtarë në Gjykatën e Lartë, ku si relator i çështjes është caktuar gjyqtari Ilir Panda.
Mes emrave të tjerë të pagjykuar, edhe i përfshirë në trafikun e armëve në “Gërdec” ka qenë i akuzuar dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni, me pseudonimin “Sy Peshkaqeni”, roli i të cilit përshkruhet qartësisht në librin “Armët dhe Çunat”, e autorit të njohur Guy Lawson, nga ku u frymëzua dhe realizimi i filmit “War Dogs” në “Hollywood”, dedikuar trafikut të armëve.
Ish Prokurori Shkëlqim Hajdari, i cili ka qenë prokuror i çështjes Gërdeci në shkallën e Apelit, pranoi në studion e emisionit “Open” të gazetares Eni Vasili, se Gjyqtarët e Shkallës së Parë, nuk e kanë thirrur Shkëlzen Berishën të jap llogari si i implikuar në dosjen e famshme.
Pjesë nga debati në studio për vendimin e DASH dhe shpalljes së Berishës “Non Grata”:
Shkëlqim Hajdari: Nga burimet e mia, në Shqipëri ka disa dosje që SPAK po i heton. E nëse themi Dosja Gërdeci, mendja më shkon tek Fatmir Mediu dhe Shkëlzen Berisha! Unë kam qenë prokurori i çështjes. Gërdeci nga pikëpamja formale pritet të prishet vendimi, zoti Mediu nuk ka mandat, nuk ka më pengesë, u ndalua të gjykohej atëherë dhe nuk përjashtohet se prokurorët e SPAK, nëse kanë indicie tjetër, mos ta gjykojnë Mediun, por të tërheqin dojsen dhe të vazhdojnë hetime më të thella, për të pyetur njerëz, për të sekuestruar prova, e të ndryshojnë akuzat.
Eni Vasili: Ju thoni se keni qenë pjesë e këtyre hetimeve, pse nuk i hetuat në atë kohë por i thoni tani?
Shkëlqim Hajdari: E kemi hetuar çështjen e Azem Hajdarit, ja u thashë!
Eni Vasili: Jo, edhe çështjeve të tjera që thatë se keni qenë prokuror, a thatë se keni qenë prokuror i çështjes Gërdeci?
Shkëlqim Hajdari: “Gërdecin” e kemi mbrojtur në Apel, “21 Janarin” e kemi mbrojtur në Apel.
Eni Vasili: Nuk mbaj mend të jetë thirrur në Prokurori Shkëlzen Berisha?! Pse nuk është thirrur në Prokurori Shkëlzen Berisha?
Shkëlqim Hajdari: Nuk e di, pyesni prokurorët e Shkallës së Parë, unë kam qenë në Prokurorinë e Apelit. Ata prokurorët e Shkallës së Parë, duhet ta thërrisnin!
Ish prokurori Hajdari, thotë se bazuar nga zhvillimet e fundit me dosjen Gërdeci, prokurorët e SPAK mund të thërrasin edhe “Sypeshkaqenin” e familjes Berisha, të jap llogari për herë të parë para drejtësisë për tragjedinë më të madhe të shkaktuar nga dora e njeriut në vendin tonë.
U provua në atë kohë nga organi akuzës, se Shkëlzen Berisha ka telefonuar disa herë Mihal Delijorgjin, pronari i fabrikës së demontimit të armëve, vetëm 5 minuta pas shpërthimit të Gërdecit. Shkëlzen Berisha, gjatë një interviste të datës 21 Mars 2019, për emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi, mohoi çdo lidhje me biznesmenin Delijorgji, mohoi lidhjen e tij dhe babait të tij me baxhanakun e vrarë në Gërdec.
Pjesë nga biseda mes gazetarit dhe Shkëlzen Berishës:
Ylli Rakipi: Zoti Mihal Deligjorgji, pas shpërthimit në Gërdec, ka komunikuar me stafin më të afërt, zotin Mediu dhe me ju. Përse?
Shkëlzen Berisha: Kjo është një ngrehinë tjetër shpifjesh, që lidhet me çështjen e tabulateve. Dua t’ju pyes diçka, nëse ju flisni me dikë në telefon, a ju bën kjo juve ortak apo bashkëpjesëmarrës në biznesin e personit me të cilin flisni në telefon?
Ylli Rakipi: Jo, sigurisht jo. Me Delijorgjin flas dhe unë, flet pronari i televizionit, të gjithë flasin.
Shkëlzen Berisha: Zoti Rama ka 200 telefonata me zotin Delijorgji, të cilit i ka dhënë leje ndërtimi sepse ka qenë kryetar bashkie. Nuk e akuzon njeri zotin Rama, që ështe pjestar në biznesin e ndërtimit të zotit Delijorgji për shkak të telefonatave.
Ylli Rakipi: Po ai nuk e ka bërë telefonatë, 5 minuta pas shpërthimit të Gërdecit.
Shkëlzen Berisha: Mua, zoti Delijorgji nuk më ka marrë në telefon. E kam marrë unë i pari në telefon. Unë kam qenë në Suedi, në Stockholm, ditën kur ka ndodhur ngjarja. Persona të afërm, të ish bashkëshortit të tezes time, të ndjerit zoti Hoxha, i cili humbi jetën, në këtë aksident, më kanë kërkuar të interesohem tek personi në fjalë. Unë e kam marrë në telefon. Nuk është përgjigjur, sepse me siguri ka qenë në një moment të vështirë.
Ylli Rakipi: Mos gaboj është një njeri i afërt juaji, që zoti Berisha nga nxitimi i ngatërroi emrin.
Shkëlzen Berisha: Jo nuk është nga nxitimi. Zoti Muhamed Hoxha, ish bashkëshorti i tezes time. Familja ime, si shumë familje të tjera shqiptare, ka brenda vetes, historinë e emigracionit. Njerëzit shkojnë në emigrim. Ka raste nuk shihen prej vitesh. Gjyshër që nuk njohin nipërit, teze që nuk njohin nipërit. Në këtë aspekt, i ndjeri sapo ishte kthyer nga emigracioni bashkë me tezen. Une e kam takuar dy ose tre herë. Nuk e dija që punonte atje, e kam marrë vesh nga këta të afërm, që më kanë telefonuar dhe më kanë kërkuar të interesohem. Babai im nuk e ka takuar kurrë personin në fjalë, edhe anëtarë të tjerë të familjes time, ka patur nga ata që nuk e kanë takuar asnjëherë.
Pas tragjedisë Berisha i mohoi të gjithë familjarët e tij të përfshirë në “fabrikën e vdekjes”! Vetëm pas 3 orësh nga tragjedia, në një peizazh lufte, ku ambulancat mbushën spitalet dhe rrugët e kryeqytetit, qeveria shqiptare doli dhe bëri një deklaratë distancimi nga ky “biznes krim njerëzor”.
Vetëm 15 minuta pas deklaratës së qeverisë, doli personalisht dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tepër i tensionuar dhe i kapur në “grackën” e biznes-krimit të familjes së tij, u distancua prej këtij krimi shtetëror, madje duke mohuar dhe faktin e pakundërshtueshëm, që në këtë fabrikë punonte si drejtues demontimi baxhanaku i tij Muhamed Hoxha, i cili mbeti i vrarë nga shpërthimi, eksperte kontabël në Gërdec ishte mbesa e tij, policia private e cila mbante nën mbikëqyrje këtë fabrikë ishte e dhëndrit të tij, që Ministri i Drejtësisë dhe drejtorët e kryepolicët e pikave të kalimit kufitar, bënin komunikimin shkresor zyrtar dhe ligjor për aktivitetin eksportues të kësaj fabrike me djalin e kryeministrit, që djali i tij komunikonte dhe vendoste praktikat e demontim-eksportimit të municioneve.
Në një intervistë që ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë për BBC, për emisionin “Hardtalk”, i pyetur nga gazetarja në lidhje me shpërthimin e Gërdecit, ish-kryeministri ia hedh të gjithë fajin për ndërtimin e punishtes së vdekjes në Gërdec, Fatmir Mediut. Berisha mohoi në këtë intervistë që të këtë pasur dijeni për atë që po ndodhte në Gërdec.
I vendosur në siklet nga pyetjet e gazetares, Berisha arriti deri atje sa të mohojë edhe baxhanakun e tij, zotin Muhamed Hoxha, i cili humbi jetën në shpërthim, për të cilin Shkëlzeni e justifikon të atin se nuk e njihte, pasi ai dhe tezja e tij jetonin jashtë vendit si emigrant, edhe nuk e kishin njohur kurrë.
Ka të ngjarë, sikurse Berisha mohoi të gjitha lidhjet e tij dhe familjes së tij me “fabrikën e vdekjes” në Gërdec, të mohoi dhe lidhjet e tij me Fatmir Mediun, duke e përdorur si “kokë turku”, për të gjitha akuzat që rëndojnë për të, për të pastruar dhe shpëtuar veten e djalin nga një dënim i sigurtë. Ndaj gjykimi i Fatmir Mediut ka rëndësi të madhe, sepse do të përcaktojë lidhjen e familjes Berisha me “fabrikën e vdekjes”, ku u skllavëruan fëmijë të mitur, të punonin jashtë çdo kriteri sigurie për të demontuar armë, predha apo fishekë.
Dënimi i Fatmir Mediut është padyshim fundosja e familjes Berisha dhe fundi i një epoke ku ata që plaçkitën, gjymtuan dhe vranë një popull të tërë, mund të flenë gjumë rehat, por vetëm si kriminelë… në qelitë respektive të tyre./Ekskluzive.al