Ish-presidenti, Bujar Nishani ka vijuar retorikën e tij të ashpër kundrejt kryedemokratit, duke e quajtur një tezë të padrejtë dhe spekulative identifikimin e 25 prillit si një masakër elektorale, siç ka bërë deri më tani kreu aktual i PD-së.
Nga Korça, Nishani tha se e gjitha kjo tezë e hartuar dhe e trumbetuar me të madhe në publik nga Basha, po bëhet për të manipuluar demokratët në mënyrë që të rimarrë për herë të tretë drejtimin e PD-së.
Për Nishanin, PD-ja është kaos dhe po përjeton një moment dramatik, po theksin se janë pikërisht këto momente që shkruajnë historinë, që sipas tij duhet të ndodhë në zgjedhjet e 13 qershorit.
“Sot PD është në një situatë kaotike, dëshpërimi, zemërthyerje, por a mund të mbetemi peng i këtij momenti? Unë mendoj që jo. PD ka resurse dhe forca të panumërta. Përtej zemërthyerjes dhe goditjes së fortë duhet të projektojmë PD-në e së nesërmes.
Duke qenë se jemi në fushatën për zgjedhjen e kryetarit unë dua të përfitojë nga rasti, ka qenë një fushatë e 25 prilli ka qenë e pabarabartë, e vështirë, përballë një makineria qeveritare që nuk njeh rregulla dhe as kode. Ka qenë një situatë që është përballuar vetëm për shkak të dinjitetin dhe sakrificave të çdo demokrati. Ky dëshpërim u thellua më keq pas 25 prillit se pritshmëritë tona ishin më të mëdha sepse shqiptarët kishin përballë një qeverisje të korruptuar.
Me të drejtë të gjithë do të rendisë vështirësitë, padrejtësitë, dhunën, manipulimet, blerjen e votës. Kur një parti opozitare fiton besimin e shumicës së qytetarëve, ato shkojnë të votojnë pa marrë parasysh forcën e shtetit dhe bën përmbysjen e qeverisë.
Jam i bindur që ky regjim, apo model qeverisjeje, nuk mund që ta ndryshojmë vetëm përmes kërkesave tona publike apo ekzistencës, por e rrëzojmë atë përmes aktivitetit dhe kontributeve dhe këtu duhet të fillojë analiza dhe reflektimi dhe projektimi i një të nesërme, nuk do kishte vlerë nëse do mbesnim peng të së drejtës. E padrejtë dhe spekulative teza që fitoi Rama për masakër elektorale, kjo është manipulative demokratët. Jemi në një udhëkryq, në një situatë të rënduar, momente dramatike por në këto momente shpesh shënohet historia, historinë e PD do e bëjnë demokratët dhe të Shqipërisë do e bëjnë shqiptarët”, tha Nishani.
Ai shtoi se disa persona mund të jenë komod duke qëndruar në opozitë, por nuk duhet lejuar që të vijojë të ndodhë.
“Kemi ardhur duke rrudhur PD, duke e larguar nga qytetarët, duke e mbyllur brenda një grupi të vogël njerëzit, mundet që disa persona të jenë komod në opozitë, por ndjej hallin e mijëra demokratëve, jo me 4-5 njerëz që bëjnë biznese të caktuara në bashkëpunim me qeverisjen, na prekupon halli i një shoqërie që zhytet dhe s’di se ku do të dalë”, tha Nishani.
Nga ana tjetër, kandidatja për kreun e PD-së, Edith Harxhi, duke e cilësuar si 8 vjeçarin më të vështirë të PD në opozitë, parashtroi pikat e saj kryesore se si do të rregullojë situatën brenda partisë. Edhe ajo ka pasur kritika për lidershipin aktual, duke thënë se nuk dëgjon zërin e degëve dhe se ka mbyllur partinë, e për pasojë premton se me ardhjen e saj në krye të kësaj partie gjërat do të ndryshojnë.
“Vendimi i parë do jetë që PD t’i kthehet anëtarësisë, duhet t’i kthehet debatit , do ndryshohet statuti, do ketë një Këshill Kombëtarë me 120 persona, por do të ketë një krye partie që do ketë 4-5 anëtarë që vijnë nga kryesitë e degëve. PD duhet të ketë një hapje dhe një bashkim.
Nëse nuk bashkohemi dhe hapemi drejt rinisë, kemi humbur struktura gjatë gjithë këtyre viteve, PD ka lëvizur nga shinat e saj ideologjike. PD duhet të decentralizohet, sot PD në qendër ka anëtarë aktiv dhe pasiv, do të thotë që janë shumë prej themeluesve që kanë kontribuuese pa fund që nuk gjejnë veten në lista, listat nuk mund të jenë atribut i askujt, ne jemi parti, jo sekt okult. Dhe financa është pjesë e rëndësishme”
Si ish zv.ministre e jashtme, Edith Harxhi ka deklaruar se informacionin se kryedemokratit Lulzim Basha nuk mund të shkojë në SHBA e ka marrë nga disa burime, mes tyre edhe ato diplomatike.
“Burime të natyrave të ndryshme, duke përfshirë edhe burime diplomatike”, tha Harxhi.
Ajo është e bindur se 13 qershori do të shënojë një pikë kthesë për historinë e PD-së.
“Në datën 13 qershor do të jetë surpriza të këndshme”, tha Harxhi