Arrestohet në Dubai Florenc Çapja. Operacioni për arrestimin është zhvilluar mbrëmjen e shkuar për llogari të Interpol Tirana, raporton ABC News.
Gjykata e Elbasanit ka caktuar ndaj masën e sigurisë së arrestit në mungesë për vrasje të dyfishtë të shtetasve Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir.
I riu, dyshohet se ka kryer të paktën dy vrasje si akt hakmarrjeje ndaj vrasjes së xhaxhait të tij, Sokol Çapja, vrasje e kryer në vitin 2005 po në Elbasan.
41-vjeçari është arrestuar në dy raste nga Policia e Shtetit për dy vrasje, një e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan dhe një tjetër e ndodhur në vitin 2015 në Itali.
Ngjarja që ka dërguar pas hekurave Florenc Çapjan, i arrestuar nga policia në Dubai është ajo e vitit 2012, 9 vite më parë kur u ekzekutuan në shtëpinë e tyre babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqiri.
Arrestimi i vëllait të madh të Çapajve, Ardian Çapja u bë pas dëshmisë së dhënë një vit më parë nga i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi, i cili ka pranuar se kishte qenë ai që tërhoqi këmbëzën e armës që vrau në gjumë Gentjan Beqirin.
Abc News siguroi asokohe edhe dëshminë e Ervis Bardhit dhënë prokurorëve pasi mori statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ku ndër të tjera ai shprehet se porosinë për të vrarë Gentjan Beqirin e morën pikërisht nga Ardjan dhe Florenc Çapja.
“Ardian Çapja më ofroi 50 mijë euro për vrasjen e Gentian Beqirit. Kryerja e vrasjes ishte i vështirë, sepse Beqiri ishte në ruajtje nga policia. Takimet me Ardianin i kam pasur në hotelin e tij” tha thënë Bardhi.
Prokuroria akuzon Jorgo Lekun si organizator të kësaj vrasjeje pasi kishte marrë porosinë nga Çapajt, me të cilët kishte lidhje familjare nga ana e bashkëshortes. Ndër të tjera, Ervis Bardhi shprehet se anëtarë të fisit Çapja e kishin ndjekur fillimisht atë gjatë hyrje-daljeve në familjen e Gentjan Beqirit, fakt që nuk provohet nga prokuroria.
Gentjan dhe Nezir Beqiri u vranë në 12 gusht të vitit 2012 dhe sipas asaj që Ervis Bardhi deklaron para prokurorëve në statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, krimi është kryer nga ai dhe Olsi Leku. Të dy ata u ngjitën në shtëpinë e Gentjan Beqirit mëngjesin e 12 gushtit pasi nëna e tij kishte dalë të bënte pazarin, ndërsa në shtëpi mund të futeshin vetëm personat e njohur sepse familja i trembej hakmarrjes nga fisi Çapja, pasi Beqiri akuzohej se kishte ekzekutuar Sokol Çapjan.
Duke shmangur dy policët që gjendeshin në hyrje të pallatit për shkak të Gentjan Beqiri ishte në arresht shtëpie, Ervis Bardhi dhe Olsi Leku ngjitën në banesën e Gentjan Beqirit ku në sheshpushimin mes katit të katërt dhe të tretë gjejnë Nezir Beqirin, të cilit i kanë thënë se kishin ardhur për të takuar Gentjanin.
Vrasja e ish-oficerit të policisë në Itali
Fadil Mema, ish-oficer i Policisë së Shtetit u vra në mars të vitit 2015 në Itali. 54-vjeçari, i cili prej kohësh punonte si shpërndarës gazetash u ekzekutua me gjashtë plumba pistole në sytë e bashkëshortes.
Dyshimet për këtë vrasje ranë mbi familje Çapja. Kjo pasi Memës, i cili ishte bërë atentat dhe në vitin 2006 kur ishte efektiv i Policisë Rrugore. Ai u qëllua në qytetin e Elbasanit dhe për këtë në atë kohë policia tha se kishte identifikuar si autor Florenc Çapjen. Ngjarja ndodhi në prani të familjarëve të efektivit të policisë, të cilët identifikuan edhe autorin. Fadil Mema u dërgua në spital dhe u mbijetoi plagëve të marra, ndërsa Florenc Çapja, dy orë pas ngjarjes, u prangos nga policia.
Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapes, që sapo ishte kthyer nga Zvicra edhe pse i dyshuar kryesor, prokuroria nuk provoi se ai ishte i përfshirë në atentatin ndaj Fadil Memës. Familja Çapja akuzonte Memën si organizator të atentatit me Sokol Çapjen, pas një konflikti që kishte pasur oficeri me Sokolin. Të dyja familjet kishin lidhje të ngushta miqësore mes tyre. Disa kohë më pas u ekzekutua në dyqanin autoshkollë të Fadil Memës, kunati i tij, Ardian Ibrahimi.
33-vjeçari Sokol Çapja u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2005 pranë hotel “Univers”, objekt në pronësi të viktimës. Sokol Çapja ishte një emër i njohur për policinë dhe organet e drejtësisë, ndërsa pati dyshime se në vrasje ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë, Fadil Mema.
Vrasje e biznesmenit me arrest shtëpie
Në gusht të vitit 2012, Gentian Beqiri u ekzekutua në banesën e tij ndërsa ndodhej në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Edhe pse ai ndodhej nën vëzhgimin e dy punonjësve të policisë, atentatorët arritën ta ekzutonin. Policia identifikoi si autor të ngjarjes Florenc Çapjen, i cili ishte në hasmëri me Gentianin.
Çapja arriti t’i shpëtonte Drejtësisë me pretendimin se ditën e ngjarjes kishte qenë në Ohër, gjë e cila vërtetohej dhe sistemi elektronik kufitar TIMS. Por, më pas rezultoi se vula ishte e falsifikuar. Vula në pasaportën e Çapjes u dërgua në laborator për ekspertim dhe sipas SHKB-së ekspertimi ka vërtetuar falsitetin e vulës. Një tjetër fakti ishte se, pas kërkesës për pamjet filmike nga kamerat e sigurisë rezultoi se “sistemi i kamerave ishte shkëputur për disa orë në për shkak të një defekti dhe pamje nuk disponohen”. Pavarësisht të gjitha këtyre, Çapja nuk morë dënim.