Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta ka miratuar në mënyrë unanime raportin përfundimtar për gjetjet e shkeljeve kushtetuese të kryera nga Presidenti.
Në raport cilësohet se presidenti ka shkelur 16 nene të Kushtetutës dhe se të hënën në Konferencën e Kryetarëve do të vendoset dhe data se kur do të votohet ky raport në Parlament.
Kryetari i Komisionit, Alket Hyseni i cili lexoi raportin përfundimtar tha se sjellja e presidenti duhet të ishte në unitet dhe ekuilbrues në jetën politikë të vendit, por kjo gjë nuk ka ndodhur pasi me deklaratat e tij si para dhe gjatë fushatës elektorale, gjuha e përdorur nga Ilir Meta ishte konfrontuese dhe e nxehtë duke dalë nga ‘kostumi’ i tij i presidentit dhe rolit të ‘paqeruajtësit’ në jetën politike të vendit.
Hyseni tha se Presidenti bëri një fushatë kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë institucionale të tij duke ndikuar drejtpërdrejtë në zgjedhjet.
“Kjo nuk është një ditë nderimi për shtetin, por një ditë e mirë për demokracinë dhe shtetit të së drejtës pasi ishte një proces i shëndoshjes së demokracisë”, tha Hyseni
Edhe anëtarët e komisionit Spartak Braho dhe Myslim Murrizi thanë se Ilir Meta shkeli Kushtetutën duke rënë moralisht në sytë e popullit dhe të ndërkombëtarëve.
Vetë Presidenca këtë raport e cilësoi nul dhe antikushtetuese dhe se Ilir Meta do të përfundojë të plotë mandatin e tij deri më 24 korrik 2022, duke mos e njohur vendimin e këtij komisioni “se ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës”.
Sot Komisionin përmbylli punën e tij 3 javore dhe se raportin përfundimtar do ia dërgojë Kuvendit. Do të jetë në dorë të Parlamentit nëse do e votojë apo jo shkarkimin e presidentit. Në të gjithë procesin kohor të punës së Komisionit, vetë Presidenti Ilir Meta nuk ka pranuar të paraqitet edhe pse është thirrur disa herë prej tij.
Presidenca ka reaguar duke folur përçartë duke lajmëruar një grusht shteti kushtetues nga Ilir Meta!
Ky është komisioni i dytë i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës, ku vendosmëria e socialistëve duket se këtë herë shkoi deri në fund. ka ardhur edhe reagimi nga Presidenca ku thotë se vendimet e këtij komisioni janë nul dhe antikushtetuese. Sipas Presidencën ky komision të vetmin qëllim të tij ka largimin e vëmendje nga krimet zgjedhore dhe krijimin e një farse kundër Presidencës, si të vetmin institucion që respekton Kushtetutën. Presidenca shprehet se Ilir Meta do të përfundojë të plotë mandatin e tij duke thënë se nuk e njoh kurrë vendimin e këtij komisioni.
“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj.
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruhet në reagimin e presidencës.