Vishet me hije dyshimi vizita e patriarkut rus në Tiranë. Ditën e djeshme ai mbylli serinë e takimeve, ndërsa ajo që ra në sy është se pati dy takime me Presidentin Ilir Meta. Vizita e tij erdhi në një moment kur marrëdhëniet Shqipëri-Rusi janë acaruar së tepërmi. Qeveria dëboi dy diplomatë rusë, ndërsa ambasada ruse në Tiranë ka shfaqur mjaft kritika. Po ashtu dhe kryeministri dhe ministri Bushati shpesh herë kanë deklaruar se Moska po teton të hyjë në punët e brendshme.
Por nëse shihen me kujdes të gjithë komponentët vihet re se vizita e tij në Tiranë nuk ka qenë e rastësishme. Sinjalet janë se ajo i ngjan më shumë një qoke që kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos ka bërë për Presidentin Ilir Meta. Kirill dje pati dhe një takim me kryeministrin Rama, por me Presidentin u takua dy herë. Të dielën në mbrëmje Meta dhe Kirill hëngrën një darkë, ku ishte e pranishme dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Ndërsa dje ai shkoi në Presidencë, ku pati për rreth një orë një tjetër takim kokë më kokë. Në këto takime Meta ka vlerësuar jashtë mase figurën e Janullatos, të cilit i dha shtetësinë shqiptare. Duket se pas këtij veprimi, kryepeshkopi solli kreun e Kishës ruse në Tiranë. Kohët e fundit ka pasur akuza të forta ndaj opozitë për lidhje me rusët, shkruan “Sot”.Revista amerikane “Mother Jones” ka nxjerr artikuj ku thuhet se LSI dhe PD kanë lobuar në SHBA përmes kompanive të lidhura me Moskën.
Po ashtu Kryemadhi ka mbështetur marrëdhëniet Shqipëri-Rusinë, ndërsa Luan Rama është i vetmi deputet që kur shkoi në Moskë realizoi një fotografi me Presidentin Vladimir Putin. Ardhja e patriarkut në një moment përplasjesh mes dy qeverive duket se është një lëvizje strategjike për të qetësuar ujërat dhe personi që doli si më mikpritës ishte Ilir Meta. Ky duket se ishte dhe si një sinjal nga Janullatos e Meta ndaj Kremlinit. Ndërkohë pak ditë më parë gazeta nxori një raport të NATO dhe një të BE, ku ngrinin shqetësimin se Moska po rrit ndikimet e saj në vende të ndryshme edhe përmes fesë.