Sigurisht që të gjithë i dimë përfitimet që një çift ka kur përdorin mbrojtës të tipit prezervativ: kontrollon shtatzënitë e padëshiruara, mbron nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme si dhe shërben për higjienën e përgjithshme. Megjithatë, edhe duke i ditur të gjitha këto, një përqindje e lartë e meshkujve sërish refuzojnë të përdorin prezervativin. Një studim i fundit ka treguar se sa më shumë të tërhequr të jenë meshkujt nga një femër, aq më pak mendojnë të përdorin prezervativin kur kryejnë marrëdhënie seksuale.
Në studimin e dy universiteteve, “Bristol” dhe “Southampton”, morën pjesë 51 meshkuj heteroseksualë, të cilëve iu paraqitën fytyrat e 20 femrave të ndryshme dhe ata kishin për detyrë që në bazë të pamjes së tyre të thoshin nëse do të kryenin marrëdhënie seksuale duke përdorur apo jo prezervativin. Gjithashtu studiuesit u thanë të mos përjashtonin mundësinë që ato mund të kishin edhe ndonjë infeksion apo sëmundje seksualisht të transmetueshme.
Rezultatet ishin tepër surprizuese pasi meshkujt zgjodhën të mos përdornin prezervativë kur u tregoheshin femrat më simpatike edhe duke pasur parasysh që ato mund të ishin mbartëse të ndonjë sëmundjeje. Sigurisht që ky studim nuk mund të jetë definitiv pasi personat që morën pjesë si vullnetarë nuk ishin të shumtë në numër, por ajo çka mund të themi është se rezultatet janë tregues të mirë.