Artur Selmani, që është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ishte një nga kandidatët për kryeprokurorin e përkohshëm, por që nuk arriti të merrte postin.
Selmani u skualifikua nga gara, pasi plotësonte pjesërisht kushtet që lidhen me kriterin moral dhe profesional të kandidatit. Gjithashtu ai kishte një masë disiplinore, ndërsa nuk kishte gradën shkencore në drejtësi.
Prokurori Artur Selmani është lakuar dhe për një konflikt të hapur me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla. Shkak është bërë pezullimi i tij nga detyra për një afat të caktuar kohor.
Përmbysja e qëndrimit te akuzës për një vrasje të trefishtë në qytetin e Vlorës, e ndodhur në prill të vitit 2015, prodhoi dyshime për një aferë korruptive.
Në shënjestër u vu prokurori Artur Selmani dhe Shefja e Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme.
Me urdhër të ish- kryeprokurorit Llala, Selmani u pezullua nga puna, madje Llalla e kallëzoi atë edhe për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Pak kohë më vonë, Llalla i ktheu të pezulluar në punë, ndërsa për hetimet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, nuk pati asnjë reagim.
Prokurori Artur Selmani, ndryshe është edhe “prokurori i sherreve”, pasi ka hetuar sherret e ndodhura në Kuvendin e Shqipërisë.
Fillimisht kallëzimin e PD-së për deputetin Amarildo Prenga dhe më vonë deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu.
Në të dyja rastet, i dëmtuar ka qenë demokrati Gent Strazimiri, i cili gjatë kësaj kohe është pyetur disa herë në prokurori, ku fillimisht ka shfajësuar Prengën dhe më vonë ka akuzuar Ndokën e Ndreun, ku i pari e goditi me grusht dhe tjetri me pëllëmbë pas kokës.
Por, përveçse prokuror, Selmani ka dalë ekspert edhe për skedina sportive.
Sipas asaj që ka deklaruar pranë ILDKPKI-së, rezulton se në vitin 2004, Selmani ka deklaruar të ardhura nga paga prej 1. 4 milion lekësh.
Gjithashtu ai ka deklaruar dhe një kredie të marrë me një afat 25 vjeçar.
Por, prokurorir të ardhurat rezulton se i ka sigurar dhe nga skedinat sportive.
Selmani ka fituar një lloto sportive në vitin 2007, në shumën 4 mijë dollarë në një kompani bastesh.
Populli thotë “oreksi vjen duke ngrënë” dhe prokurori Artur Selmani nuk është ndalur me kaq.
Në vitin 2008 , ai e ka provuar sërish fatin dhe ka vënë një tjetër skedinë, prej së cilës ka fituar 2 mijë dollarë.
Edhe në vitin 2009 skedina fituese në lloto i ka sjellë atij 4 mijë dollarë të tjera.
Kështu në një hark kohor prej 3 vitesh, prokurori Artur Selmani ka fituar shumën 10 mijë dollarë në baste sportive.
Deklarata e pasurisë dorëzuar pranë ILDKPKI më 30.03.2017
Gjendje cash që përfaqëson nga kursimet në vite, prej burimeve të të ardhurave nga rroga e përfituar në detyrat shtetërore që kam kryer dhe shpërblimet që kam përfituar nga burimet në shumën 950 000 lekë.
Depozitë bankare pranë që përfaqëson pjesë nga kursimet në vite prej burimeve të të ardhurave nga rroga e përfituar në detyrat shtetërore që kam kryer dhe shpërblimet që kam përfituar në shumën 2 500 000 lekë.
Të ardhura nga paga si prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme në shumën 1 583 501 lekë.
Të ardhura nga shpërblimi si ekspert në programin e trajnimit vazhdues të shkollës së magjistraturës në shumën 24 575 lekë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert në projektin e qendrës INFOÇIP, në shumën 1 000 dollarë.
Të ardhura nga angazhimi si ekspert në projektin e qendrës LIST për botimin e revistës juridike “GAIUS” , në shumën 630 094 lekë.
Kredi e marrë nga Banka e Kursimeve me kontratën e huasë datë, 07.10.1999, me qëllim blerje banese. Data e përfundimit të detyrimit financiar 07.10.2024. interesi bazë tre përqind. Kësti mujor 19 000 lekë. Balanca në 01.01.2016 rezultonte 1 754 277 lekë. Balnaca në datën 31.12,2016 rezulton 1 621 302 lekë. Principal i paguar për 2016 në shumën 162 290 lekë. Interes i paguar për 2016, në shumën 45 974 lekë.
Bashkëshortja Albana Selmani , paga si mësuese në shkollën 9 vjeçarë “Kushtrimi i Lirisë” në shumën 249 416 lekë.
Trajtim me pension të pjesshëm ivaliditetinga ISSH në shumën 130 000 lekë./CNA