Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po shkojnë drejt kompletimit. KLP ka nisur procedurat për të emëruar edhe 2 prokurorët e fundit në SPAK, ndërkohë që BKH ka emëruar 28 hetues dhe po vijon puna për të emëruar emrat e tjerë.
Por përveç kësaj, ka nisur puna për të plotësuar institucionet me stafe mbështetëse. Prokuroria e Posaçme ka nisur punën për të ngritur departamentin që do të mbajë kontakte me të huajt. Në faqen e saj është bërë me dije se janë përzgjedhur dy emra për specialistë ndërlidhës pranë Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Ndërlidhjes për Hetime të Përbashkëta në faqen zyrtare të SPAK.
Sipas ligjit, ky sektor është përgjegjës për koordinimin e punës së saj me autoritetet e shteteve të tjera. Sektori shërben si ndërlidhës me organet e huaja në shërbim të ecurisë së hetimeve apo hetimeve të përbashkëta. Sektori do të drejtohet nga një prokuror i posaçëm, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për një periudhë trevjeçare.
Më tej theksohet se Sektori për Bashkëpunimin Ndërkombëtar dhe Hetimet e Përbashkëta: bashkëpunon me autoritete kompetente të shteteve të tjera dhe organizatave ndërkombëtare në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare; cakton anëtarë në strukturat e përbashkëta hetimore, të krijuara në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare ose në bazë të një marrëveshje për një rast konkret, me qëllim hetimin, ndjekjen penale apo përfaqësimin në gjyq të veprave penale të parashikuara nga neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale, në Republikën e Shqipërisë, në një ose më shumë shtete të tjera.
Mbikëqyr hetimet e përbashkëta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, zbatimin e legjislacionit të brendshëm, si dhe respektimin e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë; informon në lidhje me problemet e identifikuara apo çështjet e debatuara, të cilat nuk mund të zgjidhen nëpërmjet konsultimeve me organet kompetente të një shteti tjetër apo përfaqësuesve të tij, informon pa vonesë Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, i cili, nëse është e nevojshme, kërkon mendimin ose ndihmën e ministrisë kompetente. Pra duket se me plotësimin e këtij sektori, do të kemi një rol më të madh të ndërkombëtarëve.
Plotësimi i BKH
Përveç SPAK edhe BKH ka nisur procedurat për stafet e tjera mbështetëse. BKH ka hapur procedurat për 1 specialist arkiv protokolli, për 1 specialist burimesh njerëzore dhe 3 specialistë finance. Pak ditë më parë u publikuan në Fletoren Zyrtare edhe ndryshimet në ligjin për organet e luftës antikorrupsion, ku u përcaktua niveli i pagave për BKH.
Ndërkohë hetuesit tani do të nisin një proces trajnimi me asistencën e ndërkombëtarëve. Ka qenë Departamenti i Drejtësisë, ai i cili përmes një njoftimi ka bërë të ditur se 28 hetuesit e rinj për 16 javë do të trajnohen nga FBI dhe ekspertë të tjerë amerikanë. “Byroja e Hetimit e ngritur sipas modelit të FBI, pritet të bëhet një njësi elitare që punon pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), me në fokus krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Ky organ do të jetë një element kyç për çuarjen përpara të reformës në drejtësi në Shqipëri, si një kusht i Bashkimit Europian në rrugën e integrimit”, thuhet në reagimin e Departamentit të Drejtësisë. Më tej jepen detaje nga procesi 16 mujor i trajnimit, ku një muaj do të jenë agjentët e FBI ata të cilët do iu mësojnë hetuesve teknikat e hetimit.