skush nuk e merr përsipër të hetojë vrasjen mafioze të gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, i cili u vra përmes një shpërthimi të telekomanduar në qytetin e tij të lindjes, në vendin ku jetonte së bashku me familjen dhe ku përfaqësonte drejtësinë në gjykatën e Vlorës.
Mbasi Prokuroria e Posaçme SPAK shpalli mos kompetencën duke e deleguar çështjen në prokurorinë e Vlorës, edhe prokuroria e Vlorës ka shpallur mos kompetencën dhe ja ka dërguar për ta hetuar prokurorisë se Fierit.
Nën argumentin se viktima kishte punuar si gjyqtar në Vlorë dhe për këtë shkak akuza e qytetit bregdetar gjendej në konflikt interesi, dosja hetimore në të cilën mbeten të pazbardhur autorët e vrasjes së një gjyqtari përfundoi në qytetin me të afërt, në Fier.
Por edhe këtu prokurorët lokale mbasi konstatuan se Skerdilajd Konomi kishte qenë gjyqtar në këtë qytet, ja përcollën hetimin akuzës së Lushnjës që nga ana e saj këmbënguli se nuk ishte kompetente përderisa vrasja e gjyqtarit u krye në mes të ditës dhe në bulevardin kryesor të Vlorës, duke hequr dorë nga konflikti midis prokurorive përfundoi në Tiranë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Burimet e Top Channel bëjnë me dije se ping-pongu i Prokurorive për të hequr dorë nga hetimi u zgjidh nga organi qendror, që ka urdhëruar kthim të dosjes në Prokurorinë e Fierit.
Por ndërkohë teksa çështja për të gjetur vrasësit e Skerdilajd Konomit delegohet në çdo prokurori të mundshme, deri më tani nuk ka asnjë autor konkret të dyshuar.
Megjithëse burimet shtojnë se prokuroria në Fier pyeti së fundmi familjarët e gjyqtarit që u vra në 9 shtator 2011 të cilët kanë pohuar dyshimet e tyre.
“Ne kemi mbledhur sërish të dhëna nga policia e shtetit”, deklaroi një burim i Top Channel, për krimin që është regjistruar ‘vrasje për shkak të funksionarëve publikë’, por që përveç kësaj ka si pistë edhe vrasje për shkak të konfliktit të tokave në Hamallaj.