Opozita do të rikthehet në punimet e Parlamentit, për të vijuar hetime në komisionin hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Parlamenti ka publikuar dje axhendën e komisioneve parlamentare, ku bie në sy përfshirja e mbledhjes së komisionit hetimor në punimet e saj.
Deputetët e opozitës kanë bojkotuar punimet e komisioneve parlamentare, që pas arrestimit të protestuesve të Kukësit. Mbledhja e fundit e Komisionit “Tahiri” shkaktoi një përplasje mes palëve, pasi mbledhja e fundit u drejtua nga nënkryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj dhe anëtarët e maxhorancës.
Në kalendarin e komisionit thuhet se do të miratohet: “lista e ekspertëve të jashtëm, të cilët do të asistojnë në komisionin hetimor. Njohje e anëtarëve të komisionit me shkresat e ardhura në sekretarinë e komisionit. Njohje e anëtarëve të komisionit me shkresat që janë kërkuar nga maxhoranca për t’iu drejtuar institucioneve përkatëse.
Vijueshmërinë e punës së komisionit hetimor, lidhur me njohjen e informacionit të klasifikuar”. Burime nga DSIK, por dhe opozita pohojnë se të mërkurën të gjithë deputetët do të mund të kenë në dorë certifikatën, që do t’ju lejojë të kenë akses në dokumentet sekrete që kanë lidhje me çështjen ku është i dyshuar si i përfshirë dhe ish-ministri i Brendshëm Tahiri.
Të mërkurën, selia blu, përmes një dalje për mediat të anëtarit të këtij komisioni Enkelejd Alibeaj, e akuzoi DSIK, se me urdhër të paligjshëm të Kryeministrit po bllokonte lëshimin e këtyre certifikatave. Pikërisht të hënën, pritet që ky komision që drejtohet nga opozita të zhvillojë mbledhjen e radhës./Panorama