Nga Anri Bala
Dita e zgjedhjeve e gjeti opozitën që në mëngjes me shishen e shampanjës në dorë… për të festuar fitoren e “Kohës për Ndryshim”, edhe pse garonin me xhaketa të vjetra të kthyera në zhele, e tek-tuk ndonjë rraqe si copë e re. Entuziazmi i fitores imagjinare nuk ua zbehi as fjalimet qesharake, edhe në orët e humbjes, ku “ndryshimi” që pritej të votohej në masë, sipas këtyre sharlatanëve, ishte ende brenda kutive të panumëruara!
“Prisni dhe keni për të parë”, ju drejtua turmës së ekzaltuar të militantëve lideri i famshëm i humbjeve kronike… E teksa kutitë numëroheshin e pakësoheshin dhe humbja thellohej orë pas ore, deri në votën e fundit, ata nuk u mjaftuan sërisht me rezultatin, e nisën të gënjenin sërish… me të njëjtën këngë, me të njëjtën melodi, me të njëjtin fodullëk, që kur Luli e vetshpalli veten Kryeministër në oborrin e tij. Prisni se keni për të parë… u kthye shumë shpejt në… prisni se keni për të qarë!
Ama të humbësh 5 herë radhazi… se nuk fiton dot, kërkon kurajo të dalësh përpara turmave të egërsuara, që mezi po presin të të shqyejnë për së gjalli, për gjithë talljen që u ke bërë. Për tu habitur, Luli nuk e vuri hiç “ujin në zjarr”, as u përpoq të sajonte një justifikim bindës! Nuk e lodhi hiç: “Zgjedhjet na i vodhën”, u tha… për të disatën herë, se unë nuk bashkëpunova me krimin… hajdut.
Për këtë sajesë lëshoi edhe konellapësit e tij mediokër, që humbjen e thellë ta kthenin në fitore plebishitare për emisionet, për të gënjyer sërisht të zhgënjyerit. Tamtamet e humbësave kronik buçisnin në çdo rrugë, në çdo qoshe e mejhane, për ëndrrimtarët e pushtetit… se ata kishin fituar, e se nuk i kishin gënjyer për asnjë moment, deri kur e kuptuan që… i vodhën!
Kjo tallje e ndyrë me të gjithë ata që e përkrahën Lulin humbje pas humbjesh, e prapë e votëbesuan… është sjellje perverse e një mashtruesi të pashoq, çrregullime të një personaliteti antisocial, i cili manipulon çdokënd e nuk ndihet aspak fajtor për veprimet e tij.
Krijimi i iluzionit, se fitorja ishte në kuti deri në mbrëmje… por në mengjes doli vetë nga kutia, përpara syve të rojeve të Lulit, pa e hapur dhe prekur kush… vetëm mendja e tij e sëmurë mund ta sajoi.
Kjo është historia e hidhur e një beteje politike pa gjeneral… por me një dordolec, që as zogj nuk tremb në ara… i cili shpreson të shes humbjet për fitore, me ndihmën e tufës antipatike të konellapsave, që reklamohen nëpër gjirizin mediatik si persona të rëndësishëm… të quajtur “VIP”-a, e në fakt janë veç ca “rrip”-a, që premtonin parajsën në kohë lufte, duke u damkosur si një tufë idiotësh, që nuk e dinin se për çfarë po flisnin.
Mirëpo fatkeqësisht, lider i “rripave” është zgjuar keq nga letargjia, sepse i duken të gjithë njerëzit si miza, që vinë vërdall rreth gomarit të ngordhur dhe mendojnë se me të njëjtin skenar dhe me të njëjtin regjisor ai do të shfaq tragjikomedinë e re… ringjalljen e “gomarit të cofun”!
Thirrjet dhe britmat histerike, duke u mburrur se beteja sapo ka filluar… pas humbjes, kur fitorja s’duket në horizont, është një gënjeshtër trashanike dhe qesharake. Më saktë një alibi për shpëtimin e gomarit të cofun, për sa kohë që beteja imagjinare për pushtet vazhdon duke luftuar me… askënd.
Humba-humba-humba… duhet të largohet menjëherë… si lider i pa bërë, sepse i ka të gjithë kundër, edhe ato që e gudulisën, edhe ato që e mikluan, edhe ata që dikur e donin, edhe ata që e besuan, edhe ato që nuk e urrenin por e mashtronin!
Ka ardhur koha që PD të çlirohet nga pengmarrja dhe Luli të iki vetë, pa e shtyrë, sepse do kapi ndonjë rrëpirë dhe nuk do ngjitet kurrë përpjetë! E në daçi ta mbani gomarin e cofun, në qafë paçit veten se kot nuk thoshte Joseph de Maistre: “Çdo popull ka qeverinë që meriton”, e në këtë logjikë unë mendoj se: Çdo parti meriton liderin që ka!/Ekskluzive.al