Pas humbjes së vitit 2017, kur nisi garën brenda PD-së për kryetar, Lulzim Basha synoi t’i japë më shumë legjitimitet garës së brendshme në parti përmes një deklarate publike, ku tha se i kishte “ngrirë” kompetencat e tij si kryetar i Partisë Demokratike.
Përballjen me Eduart Selamin, ia la ta menaxhonin dy nënkryetarët e partisë Edmond Spaho dhe Edi Paloka. Nga foltorja e PD-së, Basha solli konceptin e “ngrirjes” së kompetencave, që gjithsesi nuk ekzistonte në statut.
“Me efekt të menjëherëshëm kam ngrirë funksionet e mia dhe ua kam deleguar dy nënkryetarëve kompetencat për të organizuar garën për kryetar të PD-së sipas parimit një anëtar, një votë. Unë kam një projekt për këtë garë dhe atë do e vlerësojnë demokratët” u shpreh Basha që paskëtaj nisi turin e takimeve me demokratët.
Katër vite më pas, dorëheqja nuk është opsion, por edhe “ngrirja” e kompetencave të kryetarit është harruar. Jemin Gjana që drejton Komisionin Zgjedhor shpjegoi se Basha nuk është i detyruar nga statuti për të dhënë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.
I pyetur nga gazetarët nëse gara mund të konsiderohet e barabartë kur aty merr pjesë kryetari në detyrë, Gjana tha se kjo ishte një çështje e mbyllur tashmë.
“Është debatuar në 2017 në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, nëse në Statutin e ri duhet të kishte një normë statutore që detyron dorëheqjen apo jo dhe nuk është miratuar. Në Statut nuk ka detyrim dorëheqje. Pjesët e tjera janë zgjedhje individuale” tha Gjana.
Ata që besojnë se Lulzim Basha duhet të tërhiqet nga drejtimi i PD-së ishin më radikalë në kërkesat e tyre dhe kërkuan dorëheqje të parevokueshme.
“Dorëheqja e parevokueshme e Bashës është akt që i shërben të ardhmes se partisë dhe është mbi interesin personal. Basha e ka për detyrim ta bëje kete shërbim për PD. Basha është derdhur gjak për kete parti, mos e harro këtë. Sfidën me të madhe duhet ta ketë me besimin, vlerësimin tek vetja e me pas tek shumica dërrmuese”, ka thënë Bujar Nishani.
Njësoj edhe në deklaratën e grupimit “Për PD” Bashës iu kërkua dorëheqje e parevokueshme. “Kërkojmë dorëheqjen e menjëherëshme dhe të parevokueshme të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-së e të nën-nryetarëve, mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar për të hapur rrugën e një procesi rrënjësor reflektimi, analize, zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturat e reja drejtuese të Partisë” – shkruajti grupi i demokratëve.
Por humbjet e përsëritura në zgjedhje dhe përsëritja e zgjedhjeve brenda në parti e kanë bërë më të qartë falsitetin e garës së brendshme. Një “ngrirje” e kompetencave të kryetarit, dikur mund të perceptohej si një përpjekje për t’i dhënë legjitimitet garës, ndërsa sot vetëm do t’i shtonte talljet për fasadën e demokracisë së brendshme në PD.
Në anën tjetër Basha gëzon mbështetje të plotë në strukturat e larta të PD-së dhe nuk ka më nevojë për truke që duket sikur i shtojnë legjitimitet garës së brendshme.
Arben Ristani tregoi në Opinion se gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar, mbështetja e të pranishmëve për kryetarin e kishte bërë bërë situatën qesharake.
“Një nga deputetët e PD-së u çua dhe tha “Kryetar, unë të kërkoj që nëse ti humb garën për kryetar, unë të kërkoj të japësh dorëheqjen patjetër” tha ai.(Lapsi.al)