Kryetari i Komisionit Zgjedhor për zgjedhjet e 13 qershorit në Partinë Demokratike, Jemin Gjana, ka sqaruar arsyen pse kryedemokrati Lulzim Basha nuk jep dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.
Ai tha se në Këshillin Kombëtar të PD-së në vitin 2017 ishte diskutuar për të vendosur një normë në statut që detyronte dorëheqjen e kryetarit, por nuk u miratua.
“Është debatuar në vitin 2017 se në statutin e ri do të kishte një normë në statut që detyronte dorëheqjen por nuk është miratuar”, tha Gjana.
Ai nenvizon se “do ia paraqesim kryesisë së partisë të dielën që do të mblidhet për të caktuar kandidaturat që ta miratojë bashkë me kandidaturat modelin që do operohet gjatë procesit të zgjedhjeve”.
Ditën e sotme grupi ‘Për PD-në’ reagoi në lidhje me procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike duke thënë se komisioni zgjedhor u ngrit në mënyrë të njëanshme, pa u konsultuar me anëtarët e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar.
Sipas Grupit “Për PD” nuk do të ketë zgjedhje të lira për kryetar nëse Lulzim Basha nuk jep fillimisht dorëheqjen.