Ka bërë lajm takimi i kryeministrit Edi Rama me Patriarkun e Rusisë, Kirilli, pikërisht në ditën e tretë të vizitës së tij në Shqipëri.
Ndryshe nga ç’pritej, vizita e një dinjitari të lartë nga Moska nuk ka prodhuar aq shumë vëmendje, të shtunën e të dielën, edhe pse axhenda e tij ka qenë mjaft e ngjeshur.
Por vetëm takimi i sotëm me Edi Ramën ka prodhuar një zhvillim që mund të quhet lajm, pasi ka shumë gjasa që mund të sjellë polemika.
Edi Rama është takuar në orën 11.00 Patriarkun e Rusisë në selinë e Kryeministrisë, të cilën ja ka treguar dhomë për dhomë, duke i bërë një guidë gati turistike.
Në 12.00, materiali është montuar shpejt e shpejt dhe është hedhur në faqen e Facebook-ut të Ramës, duke u transmetuar si shumë rrallë, pjesë nga takimet kokë më kokë në “sallën e hartave”.
Madje deri tani asnjë takim nuk është transmetuar i tillë, përveç konferencave të shtypit që janë bërë në një sallë tjetër.
Pra, e qartë që është dashur të transmetohej mesazhi për publikun, por më shumë se publikun për qarqet e rëndësishme diplomatike dhe politike.
Po cili është mesazhi që Edi Rama transmetoi në takimin me Kirillin?
Përveç fjalëve të bukura, që në takime të tilla janë një rutinë dhe sa më shumë “furçe”, që do të thotë më shumë mesazhe të “padobishme” ose të “frikshme”, ajo që ra në sy ishte fjala e Edi Ramës që u duk një mesazh i thënë me qëllim të caktuar.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që vizita juaj përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, Imzot Fan Noli, u shugurua prift nga peshkopi rus i Nevv York-ut, Imzot Platoni. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit, pasi në mars u festua dhe ditëlindja e Kishës Autoqefale”.
Pra Edi Rama përcolli një mesazh puro politik që në vesh të Janullatosit, natyrisht Athinës mund të sjellin polemika. Pra, nëse e zbërthejnë mesazhin e kryeministrit shqiptar, atëherë del që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare është themeluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me bekimin e një kleriku ruso-amerikan. Që do të thotë jashtë ndikimit politik të Athinës, e natyrisht edhe Moskës.
Ajo ç’ka Edi Rama i tha sot Patriarkut të Kishës Ortodokse të Rusisë, Kirillit, nuk njihet zyrtarisht nga Kisha Ortodokse që drejtohet nga Anastas Janullatosi, i cili gjithashtu ishte prezent në takim.
Në faqen zyrtare të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, kisha konsiderohet në vijimësi pa ndërprerje. Ndërkaq për autoqefalinë nuk përmendet fare rasti i Kishës së Shëngjergjit. Ja ç’thuhet në historikun e KOSH:
“Veçanërisht e rëndësishme ishte edhe veprimtaria e Fan Nolit (Theofan Stiljan Nolit ose Mavromatit), i cili përktheu shumë tekste kishtare në shqip, duke ngulmuar që këto të përdoreshin në adhurim; më pas ai zuri vende drejtuese, fillimisht në Kishë, si mitropolit i Durrësit, dhe më pas në Shtetin Shqiptar, si ministër i jashtëm dhe kryeministër, në vitin 1924.
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë u shpall Autoqefale fillimisht nga Kongresi i Beratit, më 10-12 shtator 1922. Vendimet e tij i njohu qeveria shqiptare, e cila dhe e kishte shtyrë atë që të zhvillohej. Në Kongres u caktua Këshilli i Lartë Kishtar, që do të drejtonte përkohësisht Kishën”.
Në shkurt 1929 u formua Sinodi i Shenjtë i përbërë nga: Visarioni (Xhuvani) (që ishte dorëzuar në episkop, në Serbi më 1925) si Kryepiskop i Shqipërisë dhe mbikëqyrës i mitropolisë së Korçës, Agathangjeli (Çamçe) mitropolit i Beratit, Ambrozi (Ikonomi) mitropolit i Drinopolit dhe Efthimi (Kosteva) ndihmës i Kryepiskopit”.
Pra Fan Nolin, zyrtarisht Kisha Ortodokse që drejton Kryepeshkopi Anastas e përmend si përkthyes jo si themelues të Autoqefalisë. Aq më shumë që nuk përmendet fare SHBA-ja.
Sot Edi Rama e tha publikisht në sy të Patriarkut të Rusisë, por duket që ky mesazh nuk kishte shumë lidhje me Rusinë apo me rusët, pavarësisht kontekstit. /tesheshi.com/